FIFA u del në mbrojtje futbollistëve që nuk paguhen nga klubet me 16 milionë dollarë

  • 19 February 2020 - 15:44
FIFA u del në mbrojtje futbollistëve që nuk paguhen nga klubet me 16 milionë dollarë

Duke e ditur se në shumë shtete anëtare të saj ka klube me probleme të mëdha ekonomike që nuk kanë mundësi t’i paguajnë futbollistët e tyre, të cilëve u mbesin borxh, FIFA e ka bërë një plan ndihmese.

Shtëpia e futbollit botëror – pjesë e të cilës është nga viti 2016 edhe Kosova, ku shpeshherë futbollistët nuk paguhen për djersën e derdhur nga disa klube në krizë – e ka krijuar një fond prej 16 milionë dollarësh për t’iu dal sadopak në ndihmë futbollistëve që nuk u paguhet djersa.

Ky fond do të shfrytëzohet nga 1 korriku i këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur vet FIFA, ku zbulohen edhe disa detaje.

“FIFA dhe FIFPro kanë arritur një marrëveshje për të krijuar ‘Fondin FIFA’, i cili ka për synim të ndihmojë lojtarët që nuk kanë asnjë mundësi që të paguhen nga klubet e tyre”, thuhet në njoftim.

Gazeta Express shkruan se hulumtimet e fundit tregojnë se ka shumë futbollistë që nuk po paguhen nëpër botë, gjë që e ka shtyrë FIFA-n të bëjë diç për ta.

Këto 16 milionë dollarë do të shpërndahen deri në vitin 2022. Tre milionë dollarë për vitin 2020, 4 milionë për vitin 2021, 4 milionë për vitin 2022 dhe 5 milionë dollarë tjera do të rezervohen për mbrojtjen e lojtarëve edhe nga koha e kaluar, pasi ndihma ka të bëjë që nga telashet prej vitit 2015.

Në listën e atyre që do të përfitojë nga ky fond i FIFA-s do të jenë futbollistët e klubeve të shuara apo të falimentuara ose që janë në prag të falimentimet, ndërsa lojtarët nuk kanë ku t’i nxjerrin rrogat e tyre.

Siç dihet,, në Kosovë që nga paslufta janë shuar numër i madh klubesh. Kriza ekonomike vazhdon, por anëtarësimi në UEFA e FIFA e ka zbutur paksa situatën, e cila ishte tejet e rënduar.

“Kjo marrëveshje është nismë serioze e jona për të ndihmuar futbollistët që ballafaqohen me probleme rreth pagave që u takojnë. Kjo do të përmirësohet ende në të ardhmen. Ne jemi qeveria botërore e futbollit dhe kemi për detyrë që të mbrojmë më së pari ata që derdhin djersë në fushën e lojës”, ka deklaruar presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka bërë të qartë se FIFA nuk do t’i tolerojë klubet dhe federatat që t’i shkelin drejtat e futbollistëve. 

(Kosova Sot Online)