Flet Guardiola pas dënimit të Man City-t nga UEFA: Qëndroj në City 100%, e vërteta do të triumfojë

  • 20 February 2020 - 09:51
Flet Guardiola pas dënimit të Man City-t nga UEFA: Qëndroj në City 100%, e vërteta do të triumfojë

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka këmbëngulur se do të qëndrojë në klub 100% dhe beson se e vërteta do të triumfojë pas përjashtimit të City-t nga garat evropiane.

Kampioni i Premierligës City u përjashtua nga Liga e Kampionëve për dy vjet dhe u gjobit me 30 milionë euro nga UEFA javën e kaluar, për shkelje serioze të rregullave të fair play-t financiar.

City ka njoftuar se do të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

“Ne do të ankohemi. Kur dikush beson se është i drejtë lufton për ta dëshmuar atë”, tha Guardiola për BBC-në.

“Ne jemi profesionist në fushë, por nuk mund të bëjmë shumë për atë që ndodh jashtë saj”, shtoi ai.

I pyetur për të ardhmen pavarësisht se cili do të jetë rezultati i ankesës së klubit kundër pezullimit nga garat evropiane, Guardiola tha: “Nëse nuk më shkarkojnë, unë do të jem këtu. E dashuroj këtë klub. Më pëlqen të jem këtu. Ky është klubi im dhe unë do të jem këtu, pavarësisht”.

“Klubi duhet të luftojë dhe unë i besoj klubit 100%”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )