Willian, drejt ribashkimit me Mourinhon

  • 21 February 2020 - 09:40
Willian, drejt ribashkimit me Mourinhon

Mesfushori i Chelseat, Willian, ka lënë të kuptohet se transferimi i tij në Tottenham nuk është i pamundur, pasi zbuloi se ka ende marrëdhënie të mira me ish-trajnerin e tij, Jose Mourinhos.

31-vjeçari brazilian nuk ka nënshkruar ende kontratë të re me Chelsean, përkundër që klubi londinez ia ka bërë disa oferta. Gjatë verës, ai mund të largohet pa asnjë cent nga Londra, përveç nëse e rinovon tani kontratën me “Të Kaltrit”.

Anësori i Chelseat po kërkon kontratë të paktën dyvjeçare, përderisa Chelsea i ka ofruar vetëm t’ia zgjasë kontratën edhe për një vit. Këtë situatë të Willian është duke e monitoruar me kujdes Mourinho.

Willian sqaroi në një intervistë se ai ende mban kontakte me ish-trajnerin e tij që tani është trajner i Tottenhamit, Jose Mourinhon.

“Edhe pasi ai u largua nga Chelsea, gjithmonë fliste mirë për mua. Ne jemi ende shokë. Nganjëherë shkëmbejmë mesazhe”, ka thënë Willian.

Edhe Juventusi është interesuar për Willianin, të cilin klubet mund ta marrin pa shpenzuar asnjë cent gjatë verës.

(Kosova Sot Online )