Letra brilante e Kloppit për tifozin e vogël të Unitedit, që i kërkoi Liverpoolit të humbasë

  • 21 February 2020 - 10:28
Letra brilante e Kloppit për tifozin e vogël të Unitedit, që i kërkoi Liverpoolit të humbasë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ia ka kthyer përgjigjen një tifozi dhjetëvjeçar të Manchester Unitedit, i cili i kishte shkruar gjermanit letër duke u kërkuar “Reds” të fillojnë të humbasin ndeshje.

Përderisa Liverpooli pësoi disfatë 1:0 kundër Atletico Madridit në mesjavë në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, klubi i ka fituar 25 nga 26 ndeshjet e para të Premierligës, ndërsa e ka barazuar vetëm atë kundër Manchester Unitedit.

I shqetësuar nga forma e mirë e Liverpoolit, tifozi dhjetëvjeçar i Manchester Unitedit, Daragh Curley, i shkroi letër Kloppit dhe i kërkoi atij të dorëzohej dhe të fillonte t’i humbasë ndeshjet.

“Liverpooli është duke fituar shumë ndeshje. Nëse i fiton edhe nëntë ndeshje të tjera, atëherë do ta keni rekordin më të mirë si të pamposhtur në futbollin anglez. Të jesh tifoz i Unitedit është shumë e mërzitshme”, shkroi Curley.

“Kështu që herën tjetër që Liverpooli do të luajë, ju lutem humbni. Ju duhet ta lejoni skuadrën tjetër të shënojë. Shpresoj që të kam bindur të mos e fitosh ligën apo as edhe një ndeshje tjetër”.

Përderisa trajneri i Liverpoolit nuk u bind nga letra e Curleyt, ai vendosi t’i shkruajë tifozit, duke ai sqaruar se pse s’mund ta lejojë skuadrën e tij të humbasë dhe duke thënë se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer është me fat që e ka atë si tifoz.

“Fatkeqësisht, në këtë rast, unë nuk mund të ta plotësoj dëshirën, jo me dëshirën time të paktën”, ka thënë Klopp.

“Edhe pse ti do aq shumë që Liverpooli të humbasë, është puna ime të bëjë gjithçka që mundem për t’i ndihmuar Liverpoolit të fitojë sepse ka miliona njerëz rreth botës që duan shumë që kjo të ndodhë, kështu që unë nuk dua t’i zhgënjej ata”.

“Unë mund të them pa asnjë dyshim se diçka që s’do të ndryshojë asnjëherë është pasioni yt për futbollin dhe për klubin tënd. Manchester Unitedi është me fat që të ka”.

“Edhe pse klubet tona janë rivale të mëdha, ne kemi edhe respekt të madh për njëri-tjetrin. Sipas meje, ky është kuptimi i futbollit”.

Kloppi do të shpresojë që Liverpooli nuk do t’ia plotësojë dëshirën Curleyt të hënën, kur Reds do ta vazhdojnë garën në Premierligë me ndeshjen në Anfield kundër West Hamit. 

(Kosova Sot Online)