Tirana e çmendur, përmbys Kukësin për tre minuta dhe merr kreun

  • 21 shkurt 2020 - 21:58
Tirana e çmendur, përmbys Kukësin për tre minuta dhe merr kreun

Tirana përmbys Kukësin në “Air Albania” brenda tri minutave të çmendura, duke fituar një përballje direkte për titull (1-2), që deri 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt e kishte të humbur. Të tre golat e takimit, në fakt, u shënuan nga bardheblutë, teksa perla e Idriz Bathës dhe goli i Torasës e bënë të pavlefshëm autogolin e Vangjelit. Një sukses u pabesueshëm dhe i arritur ndoshta në mënyrën e duhur para derbit të madh të kryeqytetit, që premton të tjera shkëndija fundjavën e ardhshme.

Pjesa e parë ishte e pasur me raste nga të dyja skuadrat, por gjithsesi përfundoi me rrjeta të paprekura. Portieri i Kukësit, Xhika, shfaqet vendimtar me pritjet e tij në të paktën në tri raste: në tentativën e Muçit nga distanca, goditjen e lirë të Bathës, tentativën nga afër të Kobinah.

Nga ana tjetër, Vasil Shkurtajt iu anulua një gol pasi më parë kishte shkaktuar ndërhyrje të parregullt, ndërsa Rroca humb një mundësi të artë nga vija e 16 metrave në përfundim të këtij fraksioni, teksa goditja e tij, përfundoi ngjitur me shtyllën.

Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtin vrull, derisa në minutën e 52-të Vangjeli, në tentativë për të shmangur rrezikun devijoi në portën e tij pasimin e Mustës, që kishte për destinacion Shkurtajn. 

U duk se Kukësi, me cilinë që ka në përbërnje, e hipotekoi suksesin, por gjithçka ndryshoi pas ndëshkimit të Teqjes me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht me të kuqi, në minutën e 84-t.

Pikërisht nga ndërhyrja e gabuar e Tejqes përfitoi Batha, që ekzekutoi në mënyrë perfekte goditjen e lirë, me topin që përfundoi në trekëndësh, aty ku nuk mund ta arrinte Xhika, 1-1.

Shpërthen në festë stoli i Tiranës dhe tribuna ku ishin akomoduar tifozët bardheblu, për më e mira për 24 herë kampionët e Shqipërisë do të vinte vetëm tri minuta më vonë, kur Torasa shtyu me lehtësi në rrjetë pasimin e Kobinah, që ka meritën kryesore në këtë gol, pasi vallëzoi në fundore duke kaluar disa mbrojtës të Kukësit.

Në minutat në vazhdim Tirana, në superioritet numerik arriti ta ruante epërsinë, duke siguruar një fitore të madhe, që e ngjit në vendin e parë me 44 pikë, dy më shumë se Kukësi.

(Kosova Sot Online)