Interi luan pa tifozë ndaj Ludogorets, shkaku i koronavirusit

  • 24 February 2020 - 12:14
Interi luan pa tifozë ndaj Ludogorets, shkaku i koronavirusit

Tashmë është pothuajse e sigurt që ndeshja e Ligës së Evropës mes Interit dhe Ludogoretsit do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura të enjten, për shkak të druajtjeve nga sëmundja ngjitëse koronavirus.

Kjo sëmundje tejet ngjitëse është duke u shpërndarë me shpejtësi të madhe nëpër veri të Italisë, e cila i ka mbytur tre persona dhe i ka infektuar mbi 200 të tjerë deri tani.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka konfirmuar se sot do të vendosë nëse do t’i anulojë të gjitha ndeshjet e fundjavës në Serie A, ndërkohë që disa rajone si Lombardia, Piedmonti, Veneto, Liguria, Friuli dhe Emilia-Romagna, i kanë pezulluar të gjitha ngjarjet publike përfshirë ato sportive deri në mesnatën e 1 marsit.

Derisa është duke u biseduar për ricaktimin e orarit të disa ndeshjeve, e njëjta gjë nuk është e mundur edhe me ndeshjet e Ligës së Evropës.

Mundësia e vetme reale është që Interi të luajë pa shikues në ndeshjen e kthimit ndaj Ludogorets në San Siro të enjten mbrëma. Kryetari i qytetit të Milanos pritet të dalë me një njoftim të tillë sot pasdite.

Interi e fitoi 2:0 ndeshjen e parë në rundin e 32-të që u zhvillua javën e kaluar në Bullgari.

(Kosova Sot Online)