Ish-gjyqtari spanjoll: Kartoni i kuq i Ramosit dhe goli i Jesus, vendime të drejta

  • 27 February 2020 - 11:16
Ish-gjyqtari spanjoll: Kartoni i kuq i Ramosit dhe goli i Jesus, vendime të drejta

Ish-gjyqtari spanjoll Juan Andujar Oliver i ka quajtur të drejta vendimet e gjyqtarit italian Daniele Orsato kundër Sergio Ramosit në humbjen e Real Madridit 2:1 kundër Manchester City në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma.

Gabriel Jesus dhe Kevin de Bruyne shënuan në një hapësirë prej pesë minutave për ta përmbysur Realin që kishte kaluar në epërsi përmes Iscos në Bernabeu.

Në golin e shënuar me kokë nga Jesus, lojtarët madrilenë pretenduan se braziliani e kishte shtyrë me duar në shpinë qendërmbrojtësin spanjoll Ramos. Kështu nuk mendoi Orsato që e pranoi si të rregullt golin.

Vendimi i tij u mbështet nga Andujar pas ndeshjes.

“Në shikim të parë, u duk sikur Sergio Ramos u shty në shpinë, por në xhirim të përsëritur shihet se nuk kishte faull dhe Gabriel Jesus vetëm i kishte vendosur duart rreth shpinës së mbrojtësit të Real Madridit”, tha Andujar, i cili tani punon si ekspert i referimit në MARCA.

Më vonë, kapiteni i Madridit u përjashtua nga loja me karton të kuq për një faull në Jesus si lojtar i fundit.

“Ai ishte lojtari i fundit dhe e shtyu Jesusin, i cili ishte në mundësi të shënimit të golit. Është karton i kuq i qartë për kapitenin e Real Madridit”, tha ai.

(Kosova Sot Online )