Ndryshimet në Premier League, nderohen më të mirët ndër vite

  • 28 February 2020 - 10:40
Ndryshimet në Premier League, nderohen më të mirët ndër vite

Nga viti 2020 Premier League do të ketë grupin e njerëzve të famshëm të kampionatit anglez, Hall of Fame.

Në shumë vende të botës dhe kampionate të tjera, madje edhe për shumë sporte të ndryshme është krijuar një hapësirë e vecantë, ku nderohen vazhdimisht njerëzit apo personazhet me më shumë kontribute, që në gjuhën e përgjithshme quhet Hall of Fame.

Premier League përfaqëson nivelin më të lartë të futbollit anglez të klubeve dhe është themeluar më 20 shkurtin e vitit 1992, sidoqoftë më në fund pas më shumë se çerek shekulli drejtuesit e Premiership-it vendosën të krijojnë Hall of Fame-n e tyre, për të përjetësuar në këtë mënyrë figurat më të rëndësishme ndër vite, të këtij kompeticioni.

Në Hall of Fame do të vlerësohen dhe do të merren në konsideratë pikërisht rastet e atyre personazheve që me aftësitë dhe talentin e tyre kanë bërë diferencën në Premier League. Ditën e premte drejtuesit bënë të ditur planin e tyre për të zyrtarizuar grupin e vecantë të njerëzve të famshëm apo atyre personazheve që kanë lartësuar emrin e Premier Leaggue-s ndër vite, me dy emrat e parë që do të shpallen muajin e ardhshëm, pikërisht më datë 19 mars. Do të merren parasysh vetëm kandidaturat e lojtarëve që kanë luajtur në Premier League, por që e kanë përfunduar karrierën e tyre. Dy emrat e parë do të shpallen në një mbrëmje të posacme më datë 19 mars, bashkë me një listë të shkurtër emrash me nominimet e përzgjedhur, për të cilët fansat vetë do të duhet të votojnë, për t’i përfshirë më pas në Hall of Fame.

Numri 1 i Premier League-s Richard Masters, që 14 muaj më parë zëvendësoi në këtë post drejtuesin e mëparshëm Richard Scudamore, i cili e mbuloi këtë detyrë për plot 19 vjet, deklaroi se që nga viti 1992 që është edhe viti i krijimit, Premier League ka mirëpritur futbollistë të klasit botëror dhe kampionati anglez ka qenë shtëpia e njëkohësisht edhe arena ku lojtarë të tillë kanë shpalosur vlerat e tyre, sezon pas sezoni. Richard Masters shtoi se një vend për në hapësirën e vecantë që ofron Hall of Fame është rezervuar vetëm për më të mirët e Premier League-s dhe kjo gjë do të ofrojë rastin më të mirë për gjithë të apasionuarit e Premiershipit anembanë globit, për të kujtuar dhe vlerësuar karrierën dhe kontributin e lojtarëve të klasit, që kanë ditur të bëjnë diferencën ndër vite në këtë aktivitet. Të gjithë emrat që do të përfshihen në Hall of Fame do të pajisen me një medaljon të personalizuar, ku natyrisht do të gdhendet edhe viti kur këto personazhe janë bërë pjesë e grupit të njerëzve të famshëm që kanë dhënë kontributin e tyre të veçantë në Premier League.

(Kosova Sot Online )