Vinicius e theu rekordin e Messit me golin e shënuar në El Clasico

  • 02 March 2020 - 09:06
 Vinicius e theu rekordin e Messit me golin e shënuar në El Clasico

Vinicius Jr e shënoi golin e parë në El Clasicon e së dielës mes Real Madridit dhe Barcelonës dhe duke bërë kështu, u fut në historinë moderne të futbollit spanjoll.

Talenti i ri brazilian u fut në zonën e penalltisë, e ngriu Gerard Piquen dhe e plasoi topin në rrjetën e portës falë një devijimi nga mbrojtësi me përvojë të madhe, duke e lënë Marc-Andre ter Stegenin të pashpresë në portën katalonase.

 

Kështu Vinicius u bë lojtari më i ri në moshë që shënon gol në takimin më të famshëm në futbollin spanjoll në shekullin e 21-të, duke e thyer rekordin e Messit, i cili kishte shënuar het-trik në vitin 2007.

Vinicius ishte vetëm 19 vjeç e 233 ditë në ndeshjen e së dielës. Opta raporton se Messi ishte 19 vjeç e 259 ditë kur shënoi në El Clasico 13 vjet më parë.

(Kosova Sot Online )