Guardiola: E synojmë vendin e dytë në Premierligë

  • 02 March 2020 - 17:40
Guardiola: E synojmë vendin e dytë në Premierligë

Trajneri spanjoll i Manchester Cityt është dorëzuar në luftën për titull të kampionit në Premierligë pasi “Citizens” kanë mbetur shumë prapa Liverpoolit

Pep Guardiola është dorëzuar përfundimisht nga gara për titull të kampionit në Angli.

Trajneri spanjoll thotë se Manchester City deri në fund të sezonit do të luftojë për vendin e dytë në Premierligë.

Liverpooli prin në tabelë me 79 pikë, 22 më shumë se “Citizens”, të cilët e kanë një ndeshje më pak.

Mirëpo, kur kanë mbetur edhe 10 xhiro deri në fund të sezonit, kampioni aktual është dorëzuar përfundimisht për titull.

“Mendoj se trofeu më i bukur është ai i Premierligës dhe ne këtë vit nuk do ta fitojmë atë. Nuk ishte e mundshme të bënim më mirë se sezonin e kaluar. Ta fitosh një kampionat, qoftë ai Premierliga, La Liga apo një tjetër titull nacional, është gjëja më e vështirë”, ka thënë fillimisht Guardiola pas suksesit në Carabao Cup.

“Duhet të jesh konstant çdo ditë. Mendoj se ne e kishim këtë nëse i shikojmë edhe sezonet e kaluar. Mendoj se i kemi numrat e një skuadre që mund ta fitojë Premierligës. Fatkeqësisht, ka skuadra të shkëlqyeshme dhe ne e pranojmë këtë. Do të mendojmë për të arritur në vendin e dytë në Premierligë. Gjithashtu, e kemi edhe ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve me Realin”, përfundoi trajneri spanjoll. 

(Kosova Sot Online)