Shqiptari Bernard Berisha zgjidhet në ekipin e javës në Rusi

  • 03 March 2020 - 08:55
Shqiptari Bernard Berisha zgjidhet në ekipin e javës në Rusi

Mesfushori kosovar i Akhmat Groznyt, Bernard Berisha, është zgjedhur në mesin e 11 lojtarëve në formacionin më të mirë të javës në Premierligën e Rusisë, sipas Instat Index.

Bernard Berisha luajti 90 minutave në ndeshjen e xhiros së fundit në Premierligën ruse, më 29 shkurt, në ndeshjen kundër Rostov, e cila përfundoi me rezultat 1:1.

28-vjeçari nga Peja ia mundësoi skuadrës së tij ta marrë një pikë nga kjo ndeshje përmes asistit të tij në minutën e 49-të të ndeshjes.

Pikërisht ky asist dhe paraqitja e tij e përgjithshme në këtë ndeshje bëri që Berisha të shpërblehet me një vend në formacionin më të mirë të javës në Rusi.

Gjatë këtij sezoni 2019/20, Berisha ka kontribuar te skuadra e tij me tre gola dhe një asist në gjithsej 18 ndeshje të zhvilluara – prej të cilave 16 ishin në Premierligën ruse, ndërsa dy tjerat në Kupën ruse.

Përkundër këtij kontributi nga Berisha, skuadra e tij Akhmat Grozny radhitet momentalisht në pozitën e 12-të në tabelë, mirëpo ka baras pikë me dy ekipe në zonën e rrezikut për të rënë nga liga.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, do të shpresojë që Berisha ta vazhdojë formën e mirë edhe më tutje në këtë muaj, në mënyrë që të ftohet dhe të kontribuojë për ndeshjen e rëndësishme me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj potencialisht finalen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë, në fund të këtij muaji.

(Kosova Sot Online )