UEFA po e monitoron organizimin e ndeshjes Maqedonia-Kosova

  • 03 March 2020 - 15:20
UEFA po e monitoron organizimin e ndeshjes Maqedonia-Kosova

UEFA dëshiron të informohet detajisht dhe është e gatshme edhe për asistencë në mënyrë që gjithçka të kalojë sa më mirë.

UEFA i ka kushtuar shumë vëmendje ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet në Shkup më 26 mars – në kuadër të Ligës së Kombeve, e vlefshme për kualifikim në “Euro 2020”.

Në Amsterdam janë tubuar prijësit e federatave të shteteve evropiane për të marrë pjesë në Kongresin e UEFA-s dhe në ceremoninë e shortit të edicionit të ri për Ligën e Kombeve.

Të pranishëm janë edhe prijësit e federatave maqedonase e kosovare, me të cilët është takuar presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Ky i fundit është njoftuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore, shqiptari Muhamed Sejdini, rreth përgatitjeve që po bëhen në Shkup për ndeshjen me Kosovën.  Aty ishte edhe nënkryetari i federatës kosovare, Bakir Burri.

Mediat në Shkup thonë se kjo është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e futbollit maqedonas por edhe mjaft sfiduese për organizim për shkak se kundërshtarë do ta ketë Kosovën, ndërsa shumë grupe tifozësh shqiptarë nga Maqedonia duan ta përkrahin Kosovën kundër vendit të tyre. Andaj, UEFA dëshiron të informohet detajisht dhe është e gatshme edhe për asistencë në mënyrë që gjithçka të kalojë sa më mirë dhe nën frymën sportive. 

(Kosova Sot Online)