Klopp shprehet optimist: Mos ma përmendni më humbjen kundër Watfordit

  • 04 March 2020 - 09:22
Klopp shprehet optimist: Mos ma përmendni më humbjen kundër Watfordit

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se ai nuk dëshiron të bisedojë për disfatën e skuadrës së tij kundër Watfordit më, pasi Liverpooli u mposht sërish të martën në ndeshjen kundër Chelseat.

“Reds” e humbën ndeshjen e parë të sezonit në Premierligë në fundjavën e kaluar, kur Liverpooli u mposht befasishëm nga Watfordi me rezultat 3:0.

Ndeshja e së shtunës i dha fund tentimit të Liverpoolit për ta fituar titullin e Premierligës pa e pësuar asnjë disfatë në të gjithë sezonin e ligës elitare të futbollit në Angli, për ta barazuar rekordin e Arsenalit në vitin 2004.

Pasi veçse kishin humbur kundër Atletico Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, tani Liverpooli është eliminuar nga FA Cup, pasi që golat e shënuara nga Ross Barkley dhe Willian i ndihmuan Chelseat ta fitojë ndeshjen me rezultat 2:0.

Kjo ndeshje kundër Chelseat bën që Liverpooli t’i ketë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit, por Klopp nuk dëshiron të përqendrohet më në atë humbjen kundër Watfordit.

“Do të më pëlqente me të vërtetë nëse nuk do të ma përmendnit më atë humbje. Por, ne e merituam të humbin sot sepse ata i shënuan dy gola dhe ne bëmë gabime të mëdha për të dyja golat”, ka thënë Klopp.

“Pas kësaj, ishte ndeshje plotësisht e hapur. Ne i patëm katër goditje drejt portës së tyre radhazi gjatë pjesës së parë dhe Sadio Mane për pak sa s’shënoi. Por, ne u detyruam t’i bëjmë disa ndryshime për shkak të intensitetit të ndeshjes”.

(Kosova Sot Online )