Krizë në Milan, Ibra mendon largimin

  • 04 March 2020 - 10:59
Krizë në Milan, Ibra mendon largimin

Zlatan Ibrahimovic mund të vendosë të largohet nga Milani në fund të këtij sezoni, përkundër që do t’i ketë shpenzuar vetëm gjashtë muaj me klubin kuqezi. Ky opsion është bërë më i mundshëm të ndodhë shkaku i krizës në klub.

Agjenti i sulmuesit veteran suedez, Mino Raiola, raportohet se është në kërkim të një klubi të ri për klientin e vet, për shkak të ndryshimeve të mëdha që po ndodhin prapa skenave në San Siro.

Drejtori i Milanit, Zvonimir Boban, tashmë është larguar nga klubi, ndërsa edhe dy drejtorët e tjerë, Paolo Maldini dhe Frederic Massara, besohet se do të largohen këtë verë.

Vetëm javën e kaluar u raportua se Milani është duke punuar për momentin t’ia zgjasë sulmuesit suedez kontratën e cila është e vlefshme vetëm deri në fund të sezonit.

Në këtë kontratë mes klubit dhe futbollistit ekziston një klauzolë që ia zgjat Ibrahimovicit automatikisht kontratën nëse Milani kualifikohet për në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, gazeta italiane Tuttosport shkroi se Ibra është i gatshëm ta zgjasë kontratën e tij me kuqezinjtë, edhe nëse s’arrihet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Por, tani kjo gjë ka ndryshuar për shkak të krizës në klub, shkaku i zënkës mes drejtuesve të klubit.

Kroati Zvonimir Boban u kthye në Milanello verën e kaluar, megjithatë marrëdhënia e tij e keqe me drejtorin ekzekutiv të klubit, Ivan Gazidisin, e arriti pikën më të ulët pas intervistës së kroatit për Gazzetta dello Sport.

Boban e bëri të qartë se ai nuk ishte aspak i kënaqur që hierarkia e Milanit e kishte kontaktuar Ralf Rangnickun për postin e trajnerit prapa shpinës së tij dhe të Paolo Maldinit – dy drejtorët sportivë të klubit kuqezi.

Lamtumira e Boban sugjeron se edhe e ardhja e Paolo Maldinit si drejtor në klubin ku njihet si legjendë nuk është aspak e sigurt.

Ish-mbrojtësi legjendar i Milanit mund të vendosë të japë dorëheqje vetë, pasi që mediumet italiane sugjerojnë se pronarët dhe Gazidis nuk janë të gatshëm ta shkarkojnë edhe atë nga posti i tij.

Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm pritet të jenë persona të lidhur ngushtë me Gazidisin dhe shumë mediume në Itali po e parashikojnë një revolucion të Rangnickut në San Siro, që do të thotë se edhe trajneri Stefano Pioli është nën presion. 

(Kosova Sot Online)