Koeman: E refuzova Barcelonën pas shkarkimit të Valverdes

  • 04 March 2020 - 11:01
Koeman: E refuzova Barcelonën pas shkarkimit të Valverdes

Trajneri i ekipit kombëtar të Holandës, Ronald Koeman, ka bërë të ditur se e kishte hedhur poshtë ofertën e Barcelonës për t’u bërë trajneri i ri në Camp Nou, pas vendimit për shkarkimin e Ernesto Valverdes. Ai thotë se e refuzoi këtë ofertë pasi që është i përkushtuar ndaj postit të tij në Kombëtaren e Holandës.

Holandezi, i cili i kishte kaluar gjashtë sezone me Barcelonën si futbollist, pretendon se atij i ishte ofruar posti i trajnerit të klubit katalonas, pas vendimit për shkarkimin e Ernesto Valverdes këtë sezon.

Barcelonë më vonë e emëroi ish-trajnerin e Real Betisit, Quique Setienin, në këtë post në vend të Valverdes, mirëpo ai s’ka arritur t’i sjellë menjëherë rezultatet që po i kërkojnë tifozët në Camp Nou.

“A më bëri ofertë Barcelona? Po. Unë i thashë “jo” sepse jam me ekipin kombëtar”, u përgjigj Koeman, pas shortit të së martës në Amsterdam për grupet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Ai gjithashtu foli edhe për mesfushorin e Barcelonës dhe Holandës, Frenkie de Jongun, i cili e pati një sezon tranzicional në vitin e tij të parë në La Liga.

“De Jong luan shumë në Barcelonë dhe kjo është një gjë pozitive. Por, ai po luan në pozita të ndryshme nga ato që është mësuar. Por, ky është vendimi i trajnerit”, shtoi Koeman.

“Ai është shumë i ri dhe mund të mësojë shumë gjëra duke luajtur nëpër ndeshje. Por, unë mendoj se ai luante ndryshe me mua në ndeshjet e ekipit kombëtar”. 

(Kosova Sot Online)