Takim mes drejtorit ekzekutiv të Milanit dhe Ibras, diskutohet kriza në klub

  • 10 March 2020 - 10:13
Takim mes drejtorit ekzekutiv të Milanit dhe Ibras, diskutohet kriza në klub

Drejtori ekzekutiv i Milanit, Ivan Gazidis, raportohet se do të mbajë takim me Zlatan Ibrahimovicin këtë javë për t’ia ilustruar suedezit planet dhe projektin e kuqezinjve, në mënyrë që ta bindë sulmuesin veteran të qëndrojë përtej kësaj vere.

La Gazzetta delllo Sport shkruan se sulmuesi suedez ka kërkuar t’i qartësohet situata në hierarkinë e klubit. Në kërkim të përgjigjeve, ai do të zhvillojë takim me drejtorin ekzekutiv të klubit këtë javë, transmeton Gazeta Express.

38-vjeçari u transferua në Milan nga LA Galaxy gjatë afatit kalimtar të janarit dhe ai ka ndikuar që forma dhe atmosfera në San Siro të përmirësohet përgjatë vitit 2020. Që nga ardhja e tij, kuqezinjtë dukej se po shkonin në drejtimin e duhur.

Megjithatë, këtë muaj situata ndryshoi në mënyrë drastike dhe kriza në hierarkinë e klubit çoi deri te shkarkimi i drejtorit sportiv, Zvonimir Boban, i cili tani pritet ta padisë Gazidisin për mënyrën se si u shkarkua pas vetëm gjysmë sezoni në detyrën e tij.

Sipas shumë gazetave italiane, Boban do të kthehet në postin e tij paraprak në FIFA, përderisa edhe e ardhmja e drejtorit teknik, Paolo Maldini, është e pasigurt.

Gazzetta dello Sport shkruan se Ibrahimovic dëshiron të ketë garanci për ambiciet e klubit dhe dëshiron ta ketë të qartë rolin e tij në San Siro. Të gjitha këto pritet të qartësohet pas një takimi mes dy palëve këtë javë. 

(Kosova Sot Online)