Milani dhuron 250 mijë euro për të prekurit nga koronavirusi

  • 10 March 2020 - 11:11
Milani dhuron 250 mijë euro për të prekurit nga koronavirusi

Milani ka bërë të ditur se i ka dhuruar 250 mijë euro për t’i mbështetur autoritetet që po merren me emergjencën e koronavirusit në zonën e Lombardisë në Itali. Drejtori ekzekutiv i klubit kuqezi, Ivan Gazidis, ka insistuar se gjërat e tilla janë më të rëndësishme sesa futbolli.

Kuqezinjtë e bënë të ditur përkrahjen e tyre për spitalet lokale, përderisa edhe ua ka kthyer paratë të gjithë tifozëve që blenë bileta për ndeshjen kundër Genoas në San Siro fundjavën e kaluar.

“Milani ka vendosur t’ia dhurojë 250 mijë euro AREU-s (Kompania Rajonale për Urgjencë edhe Emergjencë), që është agjencia përgjegjëse për ballafaqimin me emergjencat shëndetësore në regjionin e Lombardisë”, thuhet në lajmërim.

“Donacioni do t’i ndihmojë AREU-s në tentimet për t’u ofruar ndihmë të gjitha të prekurve nga virusi Covid019”.

Drejtori ekzekutiv Gazidis shtoi se kuqezinjtë janë të bashkuar me tifozët e klubit në betejën kundër përhapjes së koronavirusit dhe tha se shëndeti dhe siguria e të dashurve është prioriteti i klubit.

“Ka gjëra më të rëndësishme në jetë sesa futbolli. Në një kohë kur të gjithë ne duhet të kujdesemi për ata më të ndjeshëm, ne duhet të veprojmë me përgjegjësi, duke i ndjekur udhëzimet e autoriteteve kompetente”, tha Gazidis.

“Shëndeti dhe siguria e të dashurve tanë është prioriteti ynë. Edhe tifozët tanë janë duke e përjetuar këtë kohë të vështirë dhe ne jemi të shqetësuar për të më të dashurit e tyre”.

“Milani është më shumë sesa një klub. Është një komunitet ku të gjithë kujdesen për njëri-tjetrin, një komunitet që e përfaqëson Milanin rreth e përqark botës. Ne jemi të bashkuar, krahë për krahë me të gjithë tifozët tanë”. 

(Kosova Sot Online)