Pogba e do qëndrimin në Man United, i gatshëm ta rinovojë kontratën

  • 11 March 2020 - 09:08
Pogba e do qëndrimin në Man United, i gatshëm ta rinovojë kontratën

Mesfushori francez, Paul Pogba, është i gatshëm t’ia përkushtojë të ardhmen Manchester Unitedit dhe është i gatshëm ta rinovojë kontratën, shkaku i besimit se ai mund të ndikojë që të arrihen suksese të mëdha në Old Trafford.

Pas shumë muajve spekulime për të ardhmen e tij, mesfushori francez pritej të largohet nga Old Traffordi në fund të këtij sezoni, pasi që ai hyn në dy vjetët e fundit të kontratës së tij.

Megjithatë, DailyMail raporton se Pogba e sheh të ardhmen e tij në Manchester United dhe do të rrinte në Old Trafford më kënaqësi edhe përtej këtij sezoni, madje duke qenë edhe i gatshëm ta zgjasë kontratën aktuale.

Mënyra se si Manchester Unitedi e përfundon sezonin, veçanërisht nëse Djajtë e Kuq arrijnë të kualifikohen për Ligën e Kampionëve, pritet ta ketë një ndikim të madh në vendimin e Pogbas për të ardhmen e tij këtë verë.

Real Madridi dhe Juventusi ishin përfolur si dy opsionet favorite për Pogban gjatë verës së kaluar. Pogba dhe agjenti i tij, Mino Raiola, i kishin nxitur shpeshherë vetë këto spekulime me deklaratat e tyre.

Megjithatë, 26-vjeçari – i cili ka luajtur vetëm në tetë ndeshje këtë sezon shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës – dëshiron ta dëshmojë vlerën e tij të vërtetë në skuadër dhe beson se mund ta luajë ende një rol të madh në tentimin për të sjellë suksese në “Teatrin e Ëndrrave”.

Pogbas i ka bërë më së shumti përshtypje ndikimi që portugezi Bruno Fernandes e ka pasur në skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer dhe ai beson se mund ta krijojë një partneritet emocionues në mesfushë me të.

(Kosova Sot Online )