Kosovën mund ta presin probleme lidhur me koronavirusin edhe në finalen e play-offs

  • 11 March 2020 - 14:12
Kosovën mund ta presin probleme lidhur me koronavirusin edhe në finalen e play-offs

Federata e Futbollit e Maqedonisë ka lajmëruar se fituesja e duelit Maqedoni – Kosovë mund të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë udhëtimit për finalen e play-offs kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

Ndeshja e shumëpritur gjysmëfinale e play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 mes Maqedonisë dhe Kosovës është vendosur të zhvillohet pa praninë e tifozëve, më 26 mars në Shkup.

Megjithatë, Federata e Futbollit e Maqedonisë ka bërë të ditur se i ka kërkuar UEFA-s që kjo ndeshje të shtyhet për shkak të rrezikut nga koronavirusi, që është përhapur nëpër Evropë dhe i ka goditur edhe eventet sportive.

Në po të njëjtin njoftim, Federata e Maqedonisë lajmëron se Kombëtarja që do ta fitojë përballjen e 26 marsit dhe që do të kualifikohet për finalen e madhe – e cila do të luhet më 31 mars ose në Gjeorgji ose në Bjellorusi, varësisht nga fituesja e gjysmëfinales tjetër – mund të përballet me masa të tjera lidhur me koronavirusin.

“Gjithashtu, pas konsultimeve me përfaqësues të Federatave të futbollit të Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, informatat jozyrtare thonë se është e mundshme që përfaqësuesja që do të sigurojë kualifikim në finale të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë hyrjes në cilindo prej dy vendeve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Federata maqedonase.

“Edhe në aspekt të kësaj problematike, Federata e Futbollit e Maqedonisë gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me dy federatat e vendeve të lartpërmendura dhe UEFA-n”.

Fituesja e duelit mes Maqedonisë dhe Kosovës do të takohet me fituesen e duelit mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë në finalen e madhe dhe fituesja e finales do të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020. 

(Kosova Sot Online)