Ronaldinhon në burg, kështu duket një ditë e zakontë prapa grilave

  • 12 March 2020 - 09:44
Ronaldinhon në burg, kështu duket një ditë e zakontë prapa grilave

Me kalimin e ditëve, legjenda e futbollit Ronaldinho është duke u përshtatur dalëngadalë me jetën në burgun paraguaian, pasi u arrestua sepse hyri në këtë vend me pasaportë të rremë.

Ronaldinho, bashkë me vëllain e vet Roberto Assis, janë duke u mbajtur në burgun Quadrilateral. Në këtë burg mbahen politikanët e ndjekur për korrupsion dhe trafikuesit e drogës, shkruan Gazeta Express.

Ronaldinho dhe vëllai i tij dolën para gjykatës të shtunën, nën akuzat se kishin përdorur pasaporte të rreme për t’u futur në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, të mërkurën.

E përditshmja spanjolle, Marca, shkruan se Ronaldinho fillimisht i kishte refuzuar ushqimet që i ofroheshin në burg, ish-futbollisti brazilian tani ka filluar të pranojë meze të lehta dhe çaj.

Ministri i Punëve të Brendshme i Paraguait, Euclides Acevedo nuk e përjashtoi mundësinë që Ronaldinho të luajë edhe futboll me të burgosurit e tjerë.

“Ai është një idhull ndërkombëtar”, ka thënë Acevedo në një intervistë të dhënë për Canal 9 Noticias.

“Unë nuk e di nëse ata do ta luajnë ndonjë ndeshje futbolli. Megjithatë, mund të ndodhë që ta luajnë ndonjë ndeshje miqësore brenda grupit”.

Gjatë orëve të fundit kanë dalur edhe fotografi ku shihet Ronaldinho duke dhënë autografe për të burgosurit e tjerë.

Ish-ylli i Barcelonës mund t’i kalojë deri në gjashtë muaj në burg, deri sa të përfundojë procesi gjyqësore ndaj tij dhe vëllait të tij.

Gjykata ka urdhëruar që ata të mbahen në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke argumentuar se ekziston rreziku që ata të ikin nga vendi pa përfunduar gjykimi ndaj tyre. Gjykatësja e rastit Clara Ruiz Diaz ka thënë se procesi i hetimit dhe gjykimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Në korrik të vitit 2019, Ronaldinhos iu konfiskuan pasaportat braziliane dhe spanjolle për shkak të mos pagimit të tatimeve dhe mos pagimit të gjobave për ndërtim të jashtëligjshëm në një vend të mbrojtur natyror në Brazil.

(Kosova Sot Online )