UEFA fton takim urgjent të martën, vendoset për futbollin në Evropë

  • 12 March 2020 - 15:11
UEFA fton takim urgjent të martën, vendoset për futbollin në Evropë

UEFA e ka ftuar një takim urgjent të martën, më 17 mars, për të diskutuar dhe vendosur se çfarë do të ndodhë me ndeshjet e kampionateve vendore, kupave vendore, Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Kampionatit Evropian 2020 në lidhje me koronavirusin. Shumë përfaqësues të klubeve kanë kërkuar që ndeshjet të suspendohen deri sa të përmirësohet situata. 

Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, Kampionati Evropian 2020 do të zhvillohet në 12 shtete të ndryshme të Evropës dhe i gjithi ky turne do të fillojë më 12 qershor.

Megjithatë, pasi virusi Covid-19 është shpallur zyrtarisht pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mediat botërore raportuan për mundësinë që EURO 2020 të shtyhet për në vjeshtë ose vitin e ardhshëm.

Kosova pritet më 26 mars ta vizitojë Maqedoninë e Veriut për gjysmëfinalen e play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, ndërsa më 31 mars do të zhvillohet finalja e madhe me fituesen e duelit tjetër, Gjeorgji – Bjellorusi.

Ndeshja mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është vendosur të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura, ndërsa të mërkurën Federata e Futbollit e Maqedonisë kërkoi nga UEFA që ndeshja të shtyhet.

Qeveritë dhe autoritetet sportive përreth botës janë duke ndërmarrë veprime drastike në tentim për ta ndalur përhapjen e këtij virusi. Serie A dhe La Liga janë në mesin e kampionateve vendore që janë suspenduar për një kohë, ndërsa ndeshje të shumta të tjera është vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve.

Por, për të gjitha kampionatet vendore, ndeshjet e kupave vendore, Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës e Kampionatit Evropian 2020 do të vendoset të martën, në takimin urgjent të ftuar nga UEFA.

“Pas zhvillimeve të reja sa i përket përhapjes së virusit COVID-19 nëpër Evropë dhe analizën e re të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UEFA sot i ka ftuar përfaqësuesit e 55 Federatave anëtare, bashkë me bordet e Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe Ligave Evropiane dhe një përfaqësues të FIFPro, për të marrë pjesë në takimin përmes videokonferencës të martën, më 17 mars, për ta diskutuar përgjigjen e futbollit evropian ndaj këtij virusi”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

“Në diskutime do të përfshihen të gjitha garat vendore dhe ato evropiane, përfshirë këtu edhe Kampionatin Evropian të UEFA-s, EURO 2020”.

“Njoftimet e radhës do të bëhen pas këtyre takimeve”. 

(Kosova Sot Online)