Dybala reagon ndaj lajmeve se ka koronavirus

  • 13 March 2020 - 13:39
Dybala reagon ndaj lajmeve se ka koronavirus

Ylli argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala, i ka mohuar spekulimet se ai doli pozitiv në testin për virusin COVID-19. Lajmin se Dybala s’është infektuar e ka konfirmuar edhe Juventusi.

Gjiganti i Serisë A është detyruar ta vendosë në karantinë skuadrën, pasi që u zbulua se qendërmbrojtësi Daniele Rugani është infektuar me koronavirus.

Pasi që klubi me bazë në Torino është vendosur në karantinë, u nxitën spekulime që thanë se edhe Dybala është infektuar.

Megjithatë, burimet të afërta me klubin e kanë konfirmuar për uebsajtin ndërkombëtar të futbollit, Goal.com, se ky lajm është i rremë dhe se Dybala nuk është infektuar.

Vetë Dybala më vonë e postoi një mesazh për ndjekësit e tij në rrjete sociale për t’i njoftuar ata për shëndetin e tij dhe për ta konfirmuar se është vendosur në karantinë si masë parandaluese.

“Përshëndetje të gjithëve, unë desha ta konfirmoj se jam mirë dhe jam në izolim vullnetar. Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe shpresoj të jemi mirë edhe ju”, shkroi Dybala.

Nga koronavirusi, që është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është prekur edhe bota e futbollit, pasi që kampionatet vendore ose janë suspenduar ose janë vendosur të zhvillohen pa tifozë kudo në Evropë, përderisa UEFA ka suspenduar xhirot e javës së ardhshme në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Vendimi për zhvillimin e Kampionatit Evropian 2020, që ishte planifikuar të zhvillohet në 12 shtete të ndryshme të Evropës, do të merret të martën, në një takim urgjent të thirrur nga UEFA. 

(Kosova Sot Online)