Kërkohet ndërprerja e sezonit të Superligës turke

  • 14 March 2020 - 16:42
Kërkohet ndërprerja e sezonit të Superligës turke

Ish-ylli i Chelseat, John Obi Mikel, i cili luan për klubin turk Trabzonsport, thotë se nuk ndihet rehat të luajë futboll tani që është përhapur koronavirusi. Ai ka bërë thirrje që të ndërpritet Superliga turke, ku luajnë edhe disa shqiptarë, si Vedat Muriqi e Florent Hadërgjonaj.

Ligat më të mëdha të Evropës dhe kudo në botë kanë filluar t’i suspendojnë ndeshjet e xhirove të ardhshme, shkaku i shqetësimeve për përhapjen e virusit Covid-19, që këtë javë u shpall pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësis.

La Liga, Serie A, Bundesliga, Ligue 1, MLS, Eredivisie e Premierliga kanë marrë vendim që t’i suspendojnë ndeshjet për të ardhmen e afërt, përderisa më vonë do të vendoset edhe për xhirot vijuese, varësisht nga situata.

Superliga turke nuk ka ndërmarrë një vendim të tillë ende. Ndeshjet të kësaj lige do të mbahen edhe këtë javë, si ajo sot në orën 18:00 mes Fenerbahces të Vedat Muriqit dhe Konyasporit.

Përveçse se liga s’ka vendosur t’i suspendojë ndeshjet, edhe tifozët do të lejohen të hyjnë nëpër stadiume. Shkaku i kësaj, Mikel ka bërë thirrje në Instagram që Turqia ta ndjekë hapin e ligave të mëdha në Evropë.

“Ka gjëra të tjera më të rëndësishme në jetë sesa futbolli. Unë nuk ndihem rehat dhe nuk dua të luaj futboll në këtë situatë. Të gjithë duhet të jenë në shtëpi me familjet e tyre dhe me më të dashurit në këtë kohë kritike”, shkroi Mikel.

“Sezoni duhet të anulohet përderisa bota është duke u ballafaquar me kohë kaq të vështira”. 

(Kosova Sot Online)