“Final Four” në Stamboll për të përfunduar Championsin dhe Europa League

  • 15 March 2020 - 18:37
“Final Four” në Stamboll për të përfunduar Championsin dhe Europa League

Nga një ndeshje në çerekfinale dhe ‘Final Four’ të luhen në një stadium të vetëm, kjo është ideja e fundit vetëm e vetëm që Championsi të përfundojë në kohë.

Koronavirusi ka pushtuar gjithë botën. Kjo sëmundje ngjitëse është përhapur në gjithë botën me një shpejtësi të madhe dhe ka detyruar të anulojë gjitha aktivitetet sportive por edhe të tjera në mbarë botën.

Ndërkohë që emergjenca sanitare ka izoluar botën, UEFA po mendon për opsionet e mundshme për të mbyllur me sukses këtë edicion të Champions League dhe Europa League, të ndërprera pikërisht për shkak të koronavirusit.

Nga faqet e gazetës spanjolle AS kanë dalë disa prapaskena lidhur me hipotezat që po mendohen në Nyon prej disa ditësh.

Ideja e fundit e drejtuesve të UEFA-s është për një Final Four me një qendër të vetme, Stambollin dhe stadiumin ku ishte në program finalja e Championsit.

Dy gjysmëfinale teke dhe një finale e madhe siç ndodh në Euroleaguen e basketbollit.

Kjo ide do t’u propozohet federatave të futbollit të martën në mbledhjen e jashtëzakonshme të UEFA-s.

Ky opsion do të merret patjetër në konsideratë pasi është një mundësi e mirë për të përfunduar në kohë Champions Leaguen dhe Europa Leaguen.

Para ndeshjeve gjysmëfinale, sfidat e çerekfinaleve po mendohen të luhen me nga një ndeshje, në një stadium neutral, e jo vajtje ardhje siç ka qenë gjithmonë.

Sido që të jetë, java e ardhshme do të jetë shumë vendimtare lidhur me fatin e shumë kompeticioneve, por edhe do të vendoset nëse Euro 2020 do të anulohet, apo do të nisë siç është planifikuar. 

(Kosova Sot Online)