UEFA cakton data të reja për finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

  • 17 March 2020 - 15:41
UEFA cakton data të reja për finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

UEFA ka vendosur që të shtyhen edhe finalet e Ligës së Kampionëve (27 qershor) dhe Ligës së Evropës (24 qershor), duke i hedhur poshtë kështu dyshimet që duelet mund të zhvillohet me nga vetëm një ndeshje e jo në formatin vajtje-ardhje nga faza çerekfinale.

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin e thirri një takim me përfaqësuesit e të gjitha 55 Federatave anëtare, Shoqatës së Klubeve Evropiane, Ligave Evropiane dhe Unionit të Futbollistëve Botërore (FIFPro). Ky takim ishte caktuar për ta diskutuar përgjigjen e futbollit ndaj krizës së koronavirusit.

Futbolli në shumicën e kampionateve vendore nëpër Evropë është ndalur përkohësisht, ndërsa edhe të gjitha ndeshjet e kësaj jave në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës janë anuluar. Pasi që nuk dihej se kur do të fillojnë garat, kjo bëri që të komplikohet kalendari i këtij sezoni.

Njëra ndër opsionet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës ishte propozuar të jetë që duke filluar nga çerekfinalet ekipi fitues të zgjidhet vetëm përmes një ndeshjeve, jo në formatin vajtje-ardhje siç është zakonisht. Kjo do të thotë se ndeshjet do të zhvilloheshin në një formë miniturneu në Stamboll dhe Gdansk.

Megjithatë, UEFA e hodhi poshtë këtë mundësi duke vendosur, gjatë video konferencës të së martës, që finalja e Ligës së Kampionëve të zhvillohet më 27 qershor dhe finalja më 24 qershor, ndërsa vendndodhja të mbetet e njëjta.

Datat origjinale për dy finalet ishin 30 maji dhe 27 maji, mirëpo shtyrjet e ndeshjeve shkaku i përhapjes së koronavirusit e detyruan UEFA-s të ndryshojë shumë gjëra në kalendar, si shtyrjen e Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021. 

(Kosova Sot Online)