“Coutinho duhet të luftojë që të qëndrojë në Barcelonë”

  • 19 March 2020 - 19:45
“Coutinho duhet të luftojë që të qëndrojë në Barcelonë”

Rivaldo nuk dëshiron që Coutinho të largohet përfundimisht nga Barcelona

Nuk u përshtat në skemat e Ernesto Valverdes ani pse u ble për 160 milionë euro me gjithë bonuse dhe për këtë, verën e kaluar, ai u huazua te Bayern Munich që ka të drejtën e blerjes për 120 milionë euro.

Sido që të jetë, legjenda e Barcelonës dhe Brazilit, Rivaldo, shpreson që Coutinho të luftojë dhe të qëndrojë te klubi në Camp Nou.

“Duket se Bayern Munich s’do të paguajë klauzolën e blerjes së Philippe Coutinhos në fund të sezonit dhe lojtari do të kthehet në Barcelona”, u shpreh Rivaldo.

“Kam menduar se Coutinho mund të adaptohet më lehtë në Spanjë se Gjermani. Fatkeqësisht, për të s’ka shkuar mirë as në Ligën tjetër dhe do të kthehet në Barcelonë. Do të varet nga klubi dhe trajneri nëse do t’i jepet edhe një rast apo jo”.

“Nëse shansi vjen, Coutinho me të vërtetë duhet të ngritët dhe të tregojë se çfarë lojtari është, ashtu siç bëri në Angli me Liverpoolin dhe siç po bën me Brazilin, pasi vazhdon të jetë lojtar i rëndësishëm”.

“Unë besoj në të, gjithçka varet te mentaliteti i futbollistit. Ai duhet të tregojë se të tjerët e kanë gabim për të dhe se ai ende mund të bëjë diferencën për çdo klub”.

“Të luash për Barcelonën që është rast unik për çdo lojtar dhe ndoshta eksperienca e Coutinhos në Bundesliga e ka bërë atë që të zgjohet dhe të shikojë se Barca mund të jetë e duhura për të”.

Coutinho ka bërë 76 paraqitje me Barcelonën, ka shënuar 21 gola.


(Kosova Sot Online)