Felipe Melo “Messi është unik, shumë më i mirë se Ronaldo”

  • 22 March 2020 - 23:47
Felipe Melo “Messi është unik, shumë më i mirë se Ronaldo”

Ish reprezentuesi i Brazilit, Felipe Melo, ka zgjedhur Lionel Messin para Cristiano Ronaldos në debatin se kush është i miri.

Messi dhe Ronaldo kanë triumfuar në 11 prej 12 ceremonive të Topit të Artë, duke e fituar gjashtë herë, respektivisht pesë herë dhe debati për më të mirin e gjitha kohëve kuptohet se vazhdon.

Për më shumë se një dekadë ka pasur diskutime se kush është më i miri mes tyre dhe për Melon s’ka asnjë dyshim, Messi është i paprekshëm.

“Messi është lojtar unik. Kur me Brazilin luanim kundër tij, ne thoshim; duhet ta godasim me radhë secili prej nesh’. Nëse s’do ta kishim bërë, do të ishte e vështirë për ta markuar”, tha Felipe Melo.

“Nuk donim ta thyejmë atë, vetëm për t’ia ndalur hovin dhe për ta shpërqendruar – ishte taktik. Messi është i jashtëzakonshëm, më shumë se Cristiano Ronaldo”.

“Ronaldo mund të shënojë pesë gola, por Messi mund t’i shënojë gjithashtu këto pesë gola dhe të bëjë që edhe shokët të shënojnë. Ai është më i kompletuar”.

Messi dhe Ronaldo së bashku për klubin dhe vendin e tyre kanë shënuar 1,422 gola. 

(Kosova Sot Online)