“Jardon Sancho s’do ta mendojë dy herë kalimin në United”

  • 27 March 2020 - 12:54
“Jardon Sancho s’do ta mendojë dy herë kalimin në United”

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, beson se ylli anglez i Borussia Dortmundit, Jadon Sancho, s’do ta mendonte dy herë mundësinë për t’u transferuar në Manchester United nëse do t’i jepej mundësia.

Sulmuesi anësor i Borussia Dortmund vazhdon të jetë i përfolur për një transferim në Old Trafford, pasi thuhet se Manchester Unitedi është i gatshëm të shpenzojë shumë të madhe parash për ta transferuar futbollistin e shumëkërkuar.

Megjithatë, për Sanchon janë të interesuar shumë klube të mëdha evropiane, edhe pse kthimi në qytetin e Mançesterit për ish-lojtarin e akademisë së Manchester Cityt është vlerësuar si opsioni më real.

Berbatov pret që 20-vjeçari i talentuar ta shfrytëzojë këtë mundësi, mirëpo e pranon që është e vështirë ta shohë se si do të përshtatej ai në sulmin e Manchester Unitedit, ku tashmë ka mjaft lojtarë të rinj të talentuar.

“Ka pasur shumë spekulime për një transferim të Jadon Sanchos në Manchester United. Pasi që ai është anglez dhe Manchester Unitedi është interesuar për të, s’mendoj se ai do ta mendojë dy herë nëse i jepet mundësia”, ka thënë Berbatov.

“Për mua, nëse ata e marrin atë, ai do të ishte një prurje e mrekullueshme në skuadër. Por, jam kurioz ta di se me çfarë formacioni do të luanin pastaj ata. Djajtë e Kuq tashmë i kanë Marcus Rashford, Anthonhy Martialin, Daniel James, Mason Greenwoodin dhe potencialisht Sanchon vitin tjetër”.

“Nëse ai vendos të largohet nga Dortmundi, duhet të shkojë diku ku e di se do të luajë rregullisht. Nuk ka kuptim të transferohet diku dhe pastaj të mos luajë aq sa të donte. Por, në fund të fundit, varet nga ai sa e dëshmon veten kur i jepet mundësia të luajë”. 

(Kosova Sot Online)