Kërkohet të kompensohen dëmet e klubeve të Superligës nga Covid-19

  • 28 March 2020 - 17:21
Kërkohet të kompensohen dëmet e klubeve të Superligës nga Covid-19

Kreu i Ballkanit, Arsim  Kabashi, ka kërkuar që klubet kosovare të futbollit të kompensohen nga qeveria për dëmet financiare të cilat i kanë pësuar nga pezullimi i aktiviteve sportive shkaku i koronavirusit. Tahir Batatina i Llapit e ka mbështetur këtë iniciativë dhe ka thënë që nëse kërkesat nuk plotësohen, të mos vazhdohet fare kampionati.

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë, ashtu si në shumicën e botës, janë pezulluar për shkak të virusit pandemik Covid-19, që deri më tani i ka prekur mbi 621 mijë njerëz dhe i ka lënë të vdekur mbi 28 mijë njerëz në botë.

Për shkak të pezullimit të aktiviteteve sportive, klubet janë goditur edhe në anën financiare, pasi që e kanë të pamundur të fitojnë të ardhura prej shitjes së biletave e sponsorizimeve si më parë. Për këtë arsye klubet e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë kanë kërkuar dëmshpërblim.

“Si rezultat i pezullimit të aktivitetit, 10 klubet anëtare të Ligës kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm financiar, i cili konsiston në zvogëlimin e të ardhurave nga reklamat, sponsorizimet dhe shitja e biletave dhe për pasojë ka krijuar vështirësi në pagimin e sportistëve dhe të stafit teknik të tyre”, thuhet në kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë.

“Në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj në në zbatim të Nenit 42/6 të Ligjit të parashikoni përfshirjen e 10 klubeve anëtare të Ligës Profesioniste të Futbollit si subjekte që do të kompensohen me vendim të Këshillit të Ministrave për dëmet e shkaktuara si pasojë e epidemisë Covid-19”.

Pronari i Ballkanit, Arsim Kabashi, ka kërkuar që të njëjtën kërkesë drejt kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe Ministrisë së Sportit ta bëjnë edhe klubet e Ipko Superligës së Kosovës.

“Superiorja Shqiptare tubohet për t’iu drejtuar Kryeministrit për përkrahje pas Epidemisë Globale. A do të ishte e arsyeshme edhe ne klubet e Superligës të tubohemi të kërkojmë ndihmë nga z.Kryeministër dhe Ministria e Sportit për mbështetjen dhe tejkalimin e kësaj gjendje aktuale?”, shkroi Kabashi në llogarinë e tij në Faceook.

Ai shpejt mori përkrahje nga trajneri dhe donatori në Llap, Tahir Batatina, i cili sugjeroi që një kërkesë të tillë të parashtrohet fillimisht në Federatën e Futbollit të Kosovës e pastaj të aranzhohet takim me qeveritarët nëse ka nevojë.

“Shpresoj të bashkohemi të gjitha klubet e Superligës dhe t’ju drejtohemi të gjitha insticioneve tona nga niveli qeveritar e deri tek ata komunalë. Që nga e hëna fillon punën FFK-ja, t’i dërgojmë kërkesat tona dhe nëse është nevoja takim edhe me Kryeministrin dhe Ministren e Sportit edhe me krerët e FFK-së”, komentoi Batatina në statusin e Kabashit.

“Që nëse nuk përmbushen kërkesat tona edhe të mos vazhdojmë hiç me kampionat. Duke e parë se të gjitha shtet po ju ndihmojnë klubeve dhe sportit”.

Dje, Ministria e Sportit, Kulturës dhe Rinisë, Vlora Dumoshi, tregoi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook se është krijuar një grup punues për ndërtimin e Planit Emergjent që do të merret me këtë aspekt.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të themelojë grupin e punës për ndërtimin Planit Emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përfshin masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja, për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga efekti i pandemisë globale COVID-19”, shkroi Dumoshi”

“Fokusi i punës së këtij grupi do jetë ngritja e programeve të reja për subvencionim të krijuesve, të rinjve dhe sportistëve individualë si dhe OJQ-ve dhe bizneseve në këta sektorë të cilat kanë nevojë për mbështetje, me qëllim të vijimësisë së punës”

“Grupi i punës do i propozojë ministrit kriteret e reja për përfitim të fondeve konform pakos emergjente pas Masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Sipas pakos, për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit”

“Pra, me caktimin e grantit prej 5 milion euro dedikuar për MKRS-në, ministrja Dumoshi menjëherë ka ndërmarrë veprimet e duhura për themelimin e grupit punues për të ndihmuar sektorët e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë”.

“Ministrja Dumoshi tha se është obligim i yni që t’u gjendemi pranë organizatave kulturore, rinore e sportive në këtë kohë të vështirë”. 

(Kosova Sot Online)