Man Unitedi kontakton agjentin e Jadon Sanchos

  • 31 March 2020 - 10:41
Man Unitedi kontakton agjentin e Jadon Sanchos

Mediumet angleze raportojnë se Manchester Unitedi e ka kontaktuar agjentin e Jadon Sanchos për t’u interesuar për transferimin e tij, i cili megjithatë s’do të jetë i lirë të arrihet pasi që Dortmundi s’pranon të arrijë kompromis për çmimin e tij.

Jadon Sancho ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë sezonit 2019/20 në Bundesligë dhe tashmë ka arritur të bëhet lojtari i parë që i shënon 25 gola në Bundesligë para se t’i mbushë 20 vjeç.

Anglezi më parë e kishte thyer rekordin e Horst Koppels, kur ishte bëri lojtari më i ri që i kishte shënuar 22 gola në ligën elitare të futbollit në Gjermani, pas golit të tij në barazimin 3:3 me RB Leipzigun më 17 dhjetor.

Ndikimi i tij si me Dortmundin në Gjermani, ashtu edhe me Kombëtaren e Anglisë, ka bërë që shumë klube të Premierligës ta monitorojnë situatën e tij në Dortmund, për t’i siguruar shërbimet e futbollistit që konsiderohet si njëri ndër talentet më premtuese në futbollin evropian.

Sulmuesi anësor i Borussia Dortmund vazhdon të jetë i përfolur për një transferim në Old Trafford, pasi thuhet se Manchester Unitedi është i gatshëm të shpenzojë shumë të madhe parash për ta transferuar futbollistin e shumëkërkuar.

Megjithatë, për Sanchon janë të interesuar shumë klube të mëdha evropiane, edhe pse kthimi në qytetin e Mançesterit për ish-lojtarin e akademisë së Manchester Cityt është vlerësuar si opsioni më real.

Manchester Unitedi thuhet se ka qenë në kontakt me agjentin  e Sanchos, mirëpo transferimi i futbollistit në Old Trafford nuk pritet të jetë aspak i lehtë.

Dortmundi nuk pranon ta ulë çmimin kërkues prej 110 milionë eurosh për shitjen e Sanchos, përkundër shqetësimeve se këto plane mund të duhet të ndryshojë shkaku i krizës së shkaktuar nga koronavirusi. 

(Kosova Sot Online)