Drejtori sportiv Igli Tare: Duhet ta vazhdojmë sezonin për t’i respektuar të vdekurit

  • 31 mars 2020 - 12:07
Drejtori sportiv Igli Tare: Duhet ta vazhdojmë sezonin për t’i respektuar të vdekurit

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, beson se do të ishte një fatkeqësi e madhe nëse sezoni 2019/20 i Serisë A anulohet për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe ka thënë se sezoni duhet të vazhdojë në shenjë respekti për të vdekurit.

Serie A është suspenduar përkohësisht për shkak të krizës së shkaktuar nga Covid-19, ndërsa lojtarët dhe stafi i klubeve italiane për momentin janë vetizoluar në pajtim me masat e ndërmarra nga qeveria italiane.

Pandemia e ka goditur Italinë më shumë sesa cilido vend tjetër në Evropë, me mbi 100 mijë raste të konfirmuara, ndërsa edhe me rreth 11,500 persona të lënë të vdekur pas infektimit me koronavirus.

Përkundër që kanë mbetur edhe 13 xhiro deri në fund të sezonit aktual të Serisë A, shumë ekspertë kanë propozuar të anulohet plotësisht ky sezon, Megjithatë, Tare beson se është ende shumë herët për ta marrë një vendim të tillë.

“Sezoni duhet të kompletohet, kampionati duhet të vazhdojë për nder të të gjithë të vdekurve dhe tifozëve. Ende nuk ka ardhur momenti për të vendosur të anulohet sezoni. Numri i njerëzve të prekur po ulet dhe ndërprerja e sezonit do të ishte e padrejtë”, ka thënë shqiptari Tare.

“Për futbollin italian, të ndalemi këtu do të ishte fatkeqësi. Ne do të tentojmë të mos e lejojmë këtë të ndodhë me të gjitha fuqitë tona. Në futbollin italian, 75 për qind e të ardhurave vijnë nga shitja e të drejtave televizive dhe pa ato, gjithçka do të shkatërrohej”.

“Ne do të donim të ktheheshim në normalitet dhe kjo do të thotë edhe të stërvitemi. Lojtarët nuk po presin për asgjë tjetër përpos momentin kur mund t’i kthehen normalitet me klubet e tyre. Në këtë pikë, ne do të duhet ta rifitojmë formën e mirë ngadalë dhe të dalim nga ky moment i tmerrshëm sa më shpejt të jetë e mundur”. 

(Kosova Sot Online)