Anësori i Chelsea,Hudson-Odoi e mposht koronavirusin: Tani po ndihem për mrekulli

  • 02 prill 2020 - 11:40
Anësori i Chelsea,Hudson-Odoi e mposht koronavirusin: Tani po ndihem për mrekulli

Anësori i Chelsea, Callum Hudson-Odoi, ka thënë se është duke u ndier për mrekulli tani pasi që është riaftësuar plotësisht nga koronavirusi.

Hudson-Odoi doli pozitiv në testin për virusin Covid-19 muajin e kaluar. Ai bashkë me trajnerin e Arsenalit dhe disa futbollistë të tjerë u prekën nga koronavirusi, duke e detyruar Premierligën ta pezullojë sezonin, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, 19-vjeçari kishte simptoma të vogla dhe jo serioze të koronavirusit.

“Po ndihem për mrekulli. E kam pasur virusin, nga i cili jam pastruar tani. Ndihem plotësisht i riaftësuar, ndihem shumë mirë. Po kthehem ai që isha prandaj gjithçka është në rregull”, tha talenti anglez për uebsajtin e klubit.

“Këtë sëmundje e kisha para tri javësh dhe tani me kujtohet sesi një ditë të hënë ndieja shumë të nxehtë dhe thashë më vete: ‘kjo është e pazakontë, përse ndiej kaq shumë të nxehtë’? Të nesërmen u ndjeva normal. Mendoja se ishte temperaturë normale, por nuk doli të ishte ashtu”, theksoi ai.

“Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’i gjykojnë gjërat ashtu siç janë dhe shpresojmë se virusi do të ikë shumë shpejt dhe ne do t’i kthehemi normalitetit”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)