Kumbulla: Ëndërroj të luaj në Ligën e Kampionëve, Chiellini idhulli im

  • 05 prill 2020 - 10:33
Kumbulla: Ëndërroj të luaj në Ligën e Kampionëve, Chiellini idhulli im

Mbrojtësi shqiptar i Hellas Veronas, Marash Kumbulla, ka thënë se ëndërron të luajë në Ligën e Kampionëve dhe ka zbuluar se Giorgio Chiellini është idhulli i tij. Ai është shprehur krenar me vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për t’i ndihmuar Italisë në krizën e pandemisë koronavirus.

Juventusi dhe Interi janë dy klubet më të përfolura për ta transferuar qendërmbrojtësin shqiptar dhe ai nuk e ka mbajtur aspak të fshehtë admirimin që ka për kapitenin e bardhezinjve.

“Si djalosh i ri, kam pasur postër të Chiellinit në dhomën e gjumit. Gjithmonë e kam adhuruar vendosmërinë dhe dëshirën e tij për t’u përmirësuar. Ai është luftëtar i vërtetë në fushë”, tha Kumbulla për Corriere della Sera.

“Sulmuesi që më ka vënë në telashe më të mëdha deri tani është Paulo Dybala për shkak të karakteristikave teknike dhe fizike. Ai është sikur ecës në litar”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Shqipërisë shtoi: “Ëndërroj të luaj në Ligën e Kampionëve”.

Javën e kaluar, kryeministri Rama i dërgoi 30 doktorë dhe infermierë në Itali, për t’i ndihmuar vendit më të goditur nga Covid-19 në luftimin e virusit.

“Jam krenar me gjestin e kryeministrit Rama për t’i ndihmuar Italisë në kohë kaq të vështirë. E falënderoj atë dhe doktorët që kanë ardhur këtu nga Shqipëria”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)