Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës luhen pa tifozë, thotë shefi i UEFA-s

  • 06 April 2020 - 08:51
Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës luhen pa tifozë, thotë shefi i UEFA-s

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka thënë se ky sezon i Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës mund të përmbyllet duke luajtur pa praninë e tifozëve në stadiume.

Në një intervistë me transmetuesin gjerman ZDF, Ceferin e mirëpriti idenë që ndeshjet të zhvillohen para ulëseve të zbrazëta, nëse masat për kufizimin e lëvizjes së lirë vazhdojnë të jenë në fuqi, transmeton Gazeta Express.

Ceferin sugjeroi se korriku apo gushti ishte synim i arritshëm për ta rinisur sezonin. Por, më vonë UEFA doli me një komunikatë për media duke thënë se nuk ka plane për ta përmbyllur sezonin deri më 3 gusht dhe se presidenti i saj ishte keqinterpretuar nga disa media që e kishin ndarë intervistën e tij me ZDF-në.

Garat e klubeve të futbollit evropian janë pezulluar deri në një kohë të papërcaktuar, ndërsa finalet e dy garave në fjalë janë shtyrë por nuk janë dhënë data të reja se kur do të zhvillohen ato, për shkak të pandemisë koronavirus.

“Fakti është se ne nuk dimë shumë. Ne jemi në pritje të zhvillimit të kësaj gjendjeje të tmerrshme në botë, kryesisht në Evropë. Futbolli nuk është i njëjtë pa tifozë. Patjetër që është më mirë të luash me tifozë sesa pa tifozë”, tha Ceferin.

“Por më mirë është t’i luajmë ndeshjet pa tifozë dhe t’i kemi ato në TV, sepse për këtë kanë nevojë njerëzit dhe këtë e duan ata sepse u sjell energji pozitive në shtëpi, sesa mos të luajmë fare”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )