FIFA e miraton planin për ta shpëtuar futbollin

  • 07 April 2020 - 19:44
FIFA e miraton planin për ta shpëtuar futbollin

FIFA ka njoftuar miratimin e planit për ta shpëtuar këtë sezon të futbollit, duke e zhvendosur afatin kalimtar të futbollistëve dhe duke ua zgjatur lojtarëve kontratat deri në përmbyllje të sezonit.

Njoftimi i sotëm vjen pas një konsultimi mes Komitetit të Aksionarëve të Futbollit në FIFA dhe përfaqësuesve të klubeve, lojtarëve, ligave, federatave kombëtare dhe konfederatave.

Futbolli pothuajse në çdo vend të botës është pezulluar për kohë të papërcaktuar, për shkak të përhapjes së pandemisë koronavirus, prandaj duke parë që sezoni aktual nuk mund të përmbyllet para muajit qershor, shumë lojtarë do të mbesin pa kontrata pas datës 30 të atij muaji.

Përveç zgjatjes së kontratave deri në mbarim të sezonit për lojtarët të cilëve do t’iu mbaronin ato në qershor, FIFA ka njoftuar se kontratat e reja nuk do të hyjnë në fuqi deri në fillim të sezonit të ri.

FIFA, po ashtu, u ka bërë thirrje klubeve dhe lojtarëve të gjejnë zgjidhje për pagat gjatë kohës sa futbolli është i pezulluar, por njoftoi se do të arbitrojë në rastet kur nuk gjenden zgjidhje.

Sa i përket afatit kalimtar, organi qeverisës i futbollit botëror njoftoi se ka për qëllim të jetë fleksibil dhe t’i zhvendosë afatet kalimtare mes përfundimit të sezonit të vjetër dhe nisjes së sezonit të ri.


(Kosova Sot Online)