A do të vazhdojë Challandes të jetë trajner i Kosovës?

  • 11 prill 2020 - 14:12
A do të vazhdojë Challandes të jetë trajner i Kosovës?

Challandes do të jetë i lirë në qershor, bisedimet për rinovimin e kontratës s’kanë nisur dhe kështu Blick ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e zviceranit me “Dardanët”.

Blick i kushtuar një shkrim përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes, me ç’rast ka folur edhe rreth të ardhmes së tij te Përfaqësuesja e Kosovës.

Challandes ka kontratë me Dardanët deri në qershor, por s’ka pasur zëra për nisjen e bisedimeve me Federatën e Futbollit të Kosovës për rinovimin e saj.

“Challandes ka pasur një fushatë të suksesshme me Kosovën duke fituar 11 ndeshje, derisa ka pasur edhe pesë barazime në 20 ndeshje. Megjithatë kontrata e tij i skadon në qershor”, shkruan Blick.

Kualifikimi i Kosovës në Euro 2020 do të thoshte direk edhe rinovim të kontratës për Challandes, por koronavirusi e bëri të tijën duke anuluar gjithçka dhe Kampionati Evropian tashmë është shtyrë për 2021.

Sipas Blick deri më tani ka pasur pak sinjale se atij do t’i vazhdohet kontrata.

Sido që të jetë, tani për tani të gjithë janë të përkushtuar në luftën kundër armikut të padukshëm, edhe vet Challandes nuk e ka mendjen diku tjetër: “Duhet të kuptojmë se momentalisht futbolli nuk është më e rëndësishmi në botë”.

Kosova është dy ndeshje larg historisë, pasi gjendet në gjysmëfinale të play-off të Nations League nga ku po synon shkuarjen në Evropian. 

(Kosova Sot Online)