Duka me mesazh për nënën që i vdiq dje: Nuk arrita ta përcjell mamanë tim sipas zakoneve

  • 15 April 2020 - 22:23
 Duka me mesazh për nënën që i vdiq dje: Nuk arrita ta përcjell mamanë tim sipas zakoneve

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur ta përcillte drejt banesës së fundit nënën e vet të ndjerë sipas traditave, për shkak të rrethanave të shkaktuar nga pandemia koronavirus.

Vajdia, nëna e të parit të futbollit shqiptar Duka, vdiq të martën pasdite në moshën 81-vjeçare.

Familja Duka njoftoi se Vajdia do të varrosej në një ceremoni ku do të marrin pjesë vetëm familjarët e ngushtë, për shkak të pandemisë koronavirus.

Tani, Duka, në një postim në Facebook, i ka falënderuar të gjithë për ngushëllimet dhe mesazhet e shumta pas vdekjes të së ëmës.

“Në këto ditë të vështira nuk arrita ta përcjell Mamin tim sipas të gjitha zakoneve të cilat ne dhe ajo donim shumë t’i respektonim. Dua t’ju falënderoj të gjithëve, miqtë e të afërmit që arritën ta përcjellin Mamin për në banesën e fundit, që na ngushëlluan përmes telefonatave e mesazheve të shumta”, shkroi Duka në Facebook.

“Uroj ta kalojmë sa më parë këtë situatë të vështirë e të rikujtojmë edhe njëherë Mamin tonë apo siç do të thonin qindra nxënës që ka mësuar dhe edukuar në 40 vite arsimi e mësuesie: Zysh Vajdijen. Ju përqafoj të gjithëve!”

(Kosova Sot Online)