Neuer e kritikon ashpër klubin e vet: Ky s’është Bayerni që e njoh unë

  • 19 April 2020 - 08:46
Neuer e kritikon ashpër klubin e vet: Ky s’është Bayerni që e njoh unë

Manuel Neuer e ka kritikuar ashpër klubin e vet, Bayern Munich, pasi të dhëna të hollësishme nga bisedimet për kontratën e tij u publikuan në media.

Portieri 34-vjeçar e ka ruajtur portën e Bayernit për gati një dekadë, duke i ndihmuar gjigantit të Bundesligës t’i fitojë hiç më pak se 18 trofe që prej se iu bashkua nga Schalke më 2011.

Ai do të futet në vitin e fundit të kontratës së tij në Bavari sezonin e ardhshëm, por është i etur të qëndrojë në klub edhe më gjatë dhe në muajt e fundit ka biseduar me klubin për zgjatjen e kontratës.

Thashethemet në mediat sugjeruan se bisedimet kishin ngecur, me Neuer që po kërkonte marrëveshje pesëvjeçare dhe me Bayernin që ishte i gatshëm t’i ofronte kontratë jo më shumë se dyvjeçare, me mundësi për zgjatje edhe për një vit tjetër.

Këto thashetheme e kanë zemëruar përfaqësuesin e Gjermanisë, i cili këmbëngul se nuk ka kuptim për të të kërkojë kontratë aq afatgjate në moshën e tij.

“Të gjitha bisedat që i kam pasur që prej vitit 2011 gjithmonë janë mbajtur me besim të madh. Kurrë asgjë nuk është zbuluar”, tha Neuer për Bild.

“Por tani janë zbuluar detaje nga bisedimet e tanishme dhe janë dalë në media, të cilat shpesh as që janë të vërteta. Kjo më bezdis. Unë nuk e njoh kështu Bayernin”, shtoi ai.

“Dua të luaj sa të jem i shëndoshë. Por gjëja më e rëndësishme për mua është besimi. E kam të qartë se është e tepërt për mua të kërkojë kontratë pesëvjeçare. Unë jam 34 vjeç dhe nuk mund të parashikoj se do të luaj deri në moshën 39-vjeçare”, theksoi ai.


(Kosova Sot Online)