Real Madridi heq dorë nga Harry Kane

  • 19 April 2020 - 08:47
Real Madridi heq dorë nga Harry Kane

Real Madridi është tërhequr nga gara për ta blerë sulmuesin anglez Harry Kane, duke ia prishur planet presidentit të Tottenham, Daniel Levy, për ta shitur atë te ofertuesi më i lartë dhe duke ia hapur rrugën Manchester Unitedit, sipas mediave britanike.

Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane, nuk do t’i bashkohet Real Madridit këtë verë, sipas Daily Mail.

Edhe pse në të kaluarën ka bërë biznes të madh me klubin e Premierligës duke i blerë Luka Modricin më 2012 dhe Gareth Bale më 2013, Madridi nuk e ka ndërmend ta bëjë të njëjtën edhe me Kane këtë verë.

Gjiganti spanjoll nuk pritet të bëjë blerje të mëdha gjatë verës, sepse është duke u përgatitur ta mposhtë ndikimin e krizës financiare të shkaktuar nga pandemia koronavirus.

Kane pritet të largohet nga Tottenhami në kërkim të trofeve dhe duke e parë këtë, presidenti i klubit Levy është i hapur ta shesë atë për të grumbulluar të holla për larjen e borxheve pas ndërtimit të stadiumit të ri që i kushtoi 1 miliard funte. 


(Kosova Sot Online)