“Kalendari i ngjeshur do t’i shkatërrojë futbollistët”

  • 19 April 2020 - 22:36
 “Kalendari i ngjeshur do t’i shkatërrojë futbollistët”

Bisedimet për rinisjen e sezonit janë të vazhdueshme.

Në Itali raportohet se sezoni do të rinisë në fund të muajit maj, në Angli me 8 qershor, kurse Spanje, Francë e Gjermani gjithashtu në fillim të qershori.

Derisa në maj, nëse gjendja me COVID-19 është më e stabilizuar, futbollistët do të rinisin stërvitjet.

Sido që të jetë, për të përfunduar sa më parë ligat, pasi në gusht po planifikohet të luhet Champions League, mund të ketë dy deri në 3 ndeshje në javë.

Kjo, sipas trajnerit të Lyonit, Rudy Garcia, do t’i mbyste futbollistët.

“Ne kemi rreth dy muaj që bëjmë pushim dhe rikthimi në fushë me ndeshje çdo 3 ditë do të ketë pasoja shumë të rënda në aspektin fizik për futbollistët”, tha ai.

“Do të jetë gati e pamundur të përballohet një ngarkesë e tillë, ndaj duhet menduar një zgjidhje, sepse ky nuk është thjesht mendimi im, por i të gjithë kolegëve të mi dhe atyre që e njohin këtë fushë”.

(Kosova Sot Online)