Nëse rinis sezoni, Reali kërkon të luajë në “Alfredo Di Stefano”

  • 20 April 2020 - 18:53
 Nëse rinis sezoni, Reali kërkon të luajë në “Alfredo Di Stefano”

Pjesën e mbetur të sezonit, gjithmonë nëse rinis, Reali mund të luajë në stadiumin që mban emrin e legjendës, “Alfredo Di Stefano”.

Drejtuesit e Real Madridit po mendojnë të ndryshojnë stadium për ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në La Liga nëse kampionati do të rinisë.

Lajmi është publikuar nga mediat spanjolle, sipas të cilave ideja e Los Blancos është që skuadra të luajë në stadiumin “Alfredo Di Stefano” që ndodhet në qendrën stërvitore në Valdebebas, aty ku luan Real Madrid Castilla, meqenëse do të luhen pa tifozë.

Nëse kjo kërkesë e Realit do të pranohet nga liga spanjolle e futbollit atëherë punimet për rinkonstruksionin e stadiumit “Santiago Bernabeu” do të vijojnë me ritëm të lartë deri në muajin shtator sepse me tifozë pritet të luhet vetëm në fillim të sezonit të ri futbollistik 2020/2021.

Megjithatë, duke parë situatën e rëndë me pandeminë që ka pushtuar botën, ka zëra se pa tifozë do të luhet deri në janar të vitit 2021.

Ditëve të fundit janë shtuar edhe më shumë zërat për rinisjen e sezonit, me Serinë A dhe Premierligën që mund të rifillojnë sezonin në qershor, kurse në maj ekipet mund të nisin stërvitjet.

Edhe në Spanjë është marrë vendimi që të nisin stërvitjet, gjithmonë duke ndjekur rregullat e qeverisë, por se kur do të ndodhë kjo, ende nuk është mësuar, ndoshta në javën e parë të majit, ashtu si Italia e Anglia.

(Kosova Sot Online)