Interi hyn në garë për Pogban

  • 24 April 2020 - 12:35
Interi hyn në garë për Pogban

Gazetat italiane, Tuttosport Sportmediaset, raportojnë se në garën për transferimin e mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogbas, tani ka hyrë edhe Interi.

Paul Pogba e ka kaluar një sezon jo shumë të këndshëm me Manchester Unitedin, pasi që lëndimet ia kanë pamundësuar atij të kontribuojë për skuadrën e tij në fushën e lojës.

27-vjeçari ka luajtur në vetëm tetë ndeshje në të gjitha garat gjatë këtij sezoni. Kjo i ka shtyrë shumë njerëz të sugjerojnë që Djajtë e Kuq të fitojnë para këtë verë për ta shitur atë, në mënyrë që të mos e humbin për asnjë cent verën e vitit të ardhshëm, kur edhe i përfundon kontrata.

Që kur është kthyer në Old Trafford nga Juventusi në vitin 2016, e ardhmja e Pogbas me Manchester Unitedin është vënë vazhdimisht në dyshim. Ai vetë shprehu dëshirën për t’u larguar nga klubi vitin e kaluar, mirëpo Ole Gunnar Solskjaer e bindi të qëndrojë.

Spekulimet për të ardhmen e Pogbas po vazhdojnë edhe më tutje, edhe 11 muaj pas deklaratës së tij, pasi që Real Madridi thuhet se do ta bëjë maksimumin për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit francez gjatë verës.

Megjithatë, përveç Paris Saint-Germainit dhe Juventusit, tani Real Madridi do të përballet me konkurrencë për Pogban edhe nga gjiganti tjetër italian, Interi.

Drejtuesit e Interit dhe trajneri Antonio Conte më herët ishin interesuar edhe për Anthony Martialin, të cilin e vlerësonin si zëvendësim potencial për Lautaro Martinezin, i cili mund të transferohet në Barcelonë.

Megjithatë, tani mediat italiane raportojnë se zikaltrit mund të vendosin t’i shpenzojnë paratë që mund t’i fitojë nga shitja e Lautaros për ta blerë mesfushorin francez Pogba.

(Kosova Sot Online)