Vdes ish-sulmuesi i Liverpoolit

  • 28 April 2020 - 11:33
Vdes ish-sulmuesi i Liverpoolit

Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Michael Robinson, ka ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare, përderisa shumë personalitete nga bota e futbollit kanë reaguar të pikëlluar ndaj këtij lajmi.

Michael Robinson, i cili e kishte fituar titullin e ligës me Liverpoolin gjatë sezonit të suksesshëm 1983/84, kishte qenë në luftë për jetë që kur ishte diagnostikuar me kancer në vitin 2018.

Familja e ish-përfaqësuesit të Irlandës e konfirmoi vdekjen e tij përmes një deklaratë të lëshuar të martën, në të cilën shkruhej: “Me pikëllim të thellë, ju informojmë për vdekjen e Michael”.

“Kjo na lë neve me një boshllëk të madh, por edhe me kujtime të pafunda, plot me dashurinë e njëjtë që ju gjithmonë ia keni treguar atij”.


“Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës që e keni bërë atë aq të lumtur, ai kurrë nuk eci i vetëm. Faleminderit”.

Pasi u pensionua nga karriera e tij si futbollist, Robinson vazhdoi duke e shijuar një karrierë të suksesshme si moderator dhe komentator dhe bëri famë për punën e tij në Spanjë, ku ishte shpërnguluar me familjen e tij.

(Kosova Sot Online)