Shefi mjekësor i FIFA-s: S’duhet të ketë futboll para shtatorit, është çështje jete a vdekje ndeshje

  • 28 April 2020 - 19:21
 Shefi mjekësor i FIFA-s: S’duhet të ketë futboll para shtatorit, është çështje jete a vdekje ndeshje

Kryetari i Komitetit Mjekësor të FIFA-s, Michel D’Hooghe, ka paralajmëruar se futbolli nuk duhet të rikthehet të paktën deri më 1 shtator, duke thënë se nuk është çështje parash por jete a vdekje.

Disa liga evropiane, përfshirë Bundesligën gjermane, mund ta rifillojnë sezonin në fillim të muajit maj, ndërsa Premierliga po mendon të rikthehet në qershor me ndeshje në stadiume të zbrazëta.

UEFA iu ka dhënë afat ligave që deri më 25 maj t’i dorëzojnë planet e tyre për rifillimin e sezonit 2019/20.

Franca u bë vendi i fundit që e anulon sezonin të martën pasdite (sot), duke i ndjekur hapat e Belgjikës dhe Holandës.

Por D’Hooghe mendon se është shumë herët për të menduar sporte ku lojtarët kanë kontakt me njëri-tjetrin, të paktën jo derisa rregullat për mbajtjen e distancës sociale të hiqen nga fuqia.

“Bota nuk është gati për futboll. Shpresoj se kjo do të ndryshojë shumë shpejt dhe sinqerisht shpresoj se do të jetë kështu. Na duhet më shumë durim”, tha ai për Sky Sports.

“Kjo është situata më dramatike që po e jetojmë që prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk duhet ta nënvlerësojmë, por duhet të jemi realistë”, shtoi ai.

“Futbolli mund të jetë i mundur vetëm atëherë kur kontakti është i mundur. Futbolli është sport kontakti dhe shmangia e kontaktit është njëra prej gjërave të para që na këshillohemi t’i shmangim gjatë pandemisë”, vazhdoi ai.

“Nuk është çështje parash, është çështje jete a vdekje. Nuk mund të luash futboll në Premierligë kur lojtarët obligohen të rrinë dy metra larg njëri-tjetrit. Nuk mund t’i kërkosh Liverpoolit të luajë kundër Manchester Unitedit kur të gjithë lojtarët duhet të mbajnë dy metra distancë nga njëri-tjetri”, përfundoi ai.

(Kosova Spot Online)