Juventusi dhe Barcelona janë duke e përgatitur një shkëmbim mes Melos dhe Pjanicit

  • 29 April 2020 - 10:32
Juventusi dhe Barcelona janë duke e përgatitur një shkëmbim mes Melos dhe Pjanicit

Juventusi dhe Barcelona janë duke e përgatitur një shkëmbim mes Arthur Melos dhe Miralem Pjanicit gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo braziliani nuk është pajtuar ende me këtë marrëveshje.

Pasi Mundo Deportivo raportoi të martën se Barcelonës ia kishte dhënë dritën e gjelbër Juventusit të fliste drejtpërdrejt me Arthurin, kjo sugjeroi se dy klubet kishin arritur marrëveshje në parim.

Tani, Gazzetta dello Sport dhe Tuttosport sugjerojnë se propozimi për të cilin janë pajtuar dy klubet është shkëmbim mes mesfushorëve, që do ta çonte Pjanicin në Camp Nou dhe Arthur në Allianz Stadium.

Megjithatë, deri në arritjen e kësaj marrëveshjeje qëndrojnë dy probleme. Problemi kryesor është që Arthuri nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, pasi 23-vjeçari iu bashkua katalonasve nga Gremio gjatë verës së 2018-tës për 31 milionë euro.

Braziliani i bëri 23 paraqitje me karakter garues këtë sezon, duke i shënuar katër gola dhe duke kontribuar me katër asiste të tjera.

Barcelonë shpreson tani se Juventusi, duke folur drejtpërdrejt me të, do të mundë ta bindë futbollistin ta pranojë transferimin.

Problemi tjetër që po raportohet nga Tuttusport është gara për transferimin e Arthurit, pasi që për të është i interesuar edhe Paris Saint-Germaini, që është i gatshëm ta ofrojë Leandro Paredesin në shkëmbim.

Interi gjithashtu besohet se është i interesuar ta marrë Arthurin si pjesë të marrëveshjes me Barcelonës për transferimin e Lautaro Martinezit, mirëpo braziliani nuk e dëshiron aspak largimin nga Barcelona. 

(Kosova Sot Online)