Futbolli do të kthehet në fushën e blertë me rregulla të reja

  • 29 April 2020 - 11:36
Futbolli do të kthehet në fushën e blertë me rregulla të reja

Futbolli do të kthehet në fushën e blertë me rregulla të reja dhe me disa masa parandaluese, pasi ka rreth dy muaj që janë suspenduar shumica e aktiviteteve sportive shkaku i krizës së koronavirusit.

Premierliga po tenton ta gjejë një mënyrë për t’u kthyer në fushën e lojës në qershor, bashkë me Bundesligën e La Ligës, përderisa Ligue 1 e ka përfunduar para kohe sezonin dhe Serie A është në dyshim.

 

 

Gazeta britanike i ka listuar tetë mënyrat se si do të ndryshojë Premierliga pas koronavirusit, të cilat ju mund t’i lexoni në vijim:

1. Ndërprerja e marrëdhënieve seksuale – Yjet e Bundesligës pritet të kthehen të parët në fushën e lojës dhe njëri kusht të cilin ata do të duhet ta respektojnë është ndërprerja e marrëdhënieve seksuale nëse partneri/ja e tyre ka shfaqur simptoma të koronavirusit.

2. Lojtarët s’do të lejohen të pështyojnë – Futbollistët mund të ndëshkohen me karton të verdhë nëse pështyjnë në fushën e lojës, pasi që kjo nuk është aspak higjienike dhe mund të përhapet virusi.

3. Pesë zëvendësime – FIFA është e shqetësuar se futbollistët mund të lodhen dhe mund të pësojnë lëndime të shumta kur të kthehet futbolli shkaku i agjendës së ngarkuar të ndeshjeve dhe për këtë arsye mund të lejohen të bëhen nga pesë zëvendësime në vend të tri.

4. Topat dhe fusha do të sterilizohen – Koronavirusi mund të mbijetojë deri në 72 orë në sipërfaqe, kështu që gjithçka që do të preket nga lojtarët do të duhet të jetë pastruar.

5. Të mos mbahen lojtarët mes vete në kornere – Pasi që distanca sociale po udhëzohet të praktikohet edhe më tutje, kjo do ta ketë një rol të madh në fushën e lojës. Lojtarët po inkurajohen të mos mbahen te njëri-tjetri gjatë goditjeve nga korneri.

6. Ndalesat sipas moshës – Trajneri 72-vjeçar i Crystal Palace, Roy Hodgson, po frikësohet se ai mund ta humbë pjesën e mbetur të sezonit për shkak të ndalesa qeveritare për personat mbi moshën 70-vjeçare.

7. Stërvitjet e izoluara – Lojtarët do të lejohen të stërviten në grupe prej pesë lojtarëve, ndërsa në disa klube mund të vendoset që secili lojtar të stërvitet në kohë të ndryshme me lojtarët e tjerë dhe me top tjetër.

8. Stadiumet neutrale dhe karantinimi – Klubet kanë propozuar që futbollistët e shëndetshëm të vendosen në karantinë në hotele, në mënyrë që të mos rrezikojnë te infektohen nga kontakti me të tjerët, përderisa është sugjeruar që ndeshjet të zhvillohen në një stadium të vetëm neutral, si Wembley. 

(Kosova Sot Online)