Ferdinand mbron sërish Pogban: Çka doni? Që ai të jetë në depresion?

  • 30 April 2020 - 09:45
Ferdinand mbron sërish Pogban: Çka doni? Që ai të jetë në depresion?

Rio Ferdinand është i habitur se sa shumë fajësohet Paul Pogba për problemet në Manchester Unitedit, përkundër që ka munguar në shumicën e ndeshjeve shkaku i lëndimeve. Ish-mbrojtësi i Djajve të Kuq i inkurajoi ish-futbollistët e tjerë të mos e kritikojnë pa arsye francezin, vetëm pse ai është ndryshe.

Paul Pogba u kthye në Old Trafford, ku e kishte filluar karrierën  si profesionist, nga Juventusi për 89 milionë funte në verën e vitit 2016, pasi e kishte fituar statusin si njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë gjatë periudhës katërvjeçare të tij në Allianz Stadium.

Ai ka shfaqur shpeshherë pjesë të asaj forme edhe në Mançester, mirëpo më shumë është diskutuar për sjelljen e tij. 27-vjeçari fillimisht cilësohej futbollisti që do ta kthente lavdinë në Old Trafford pas katër vjetëve pa titull të Premierligës, mirëpo ai ka arritur ta fitojë vetëm trofeun e Kupës së Ligës dhe atë të Ligës së Evropës që kur është kthyer.

Pogba e shprehu dëshirën e tij për ta nisur një sfidë të re në karrierën e tij në fund të sezonit të sezonit, mirëpo Ole Gunnar Solskjaer në fund arriti ta bindë atë të qëndrojë në Teatrin e Ëndrrave të paktën edhe për një vit tjetër.

Megjithatë, një lëndim në kyçin e këmbës ia ka pamundësuar yllit francez të kontribuojë aq sa të donte ai gjatë sezonit 2019/20, përderisa spekulimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të intensifikohen tani që jemi afër afatit kalimtar të verës.

E pasi e mbrojti javën e kaluar në debatin e tij me Graeme Souness, tani ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit e theksoi se është e çuditshme se si 27-vjeçari është fajësuar për rezultatet e Unitedit këtë sezon, edhe pse ka luajtur në vetëm shtatë ndeshje të Premierligës/

“Shumë prej kritikave janë shkaku i rrjeteve sociale – shumë prej atyre që thuhen ngjallen nga prezenca e tij në rrjete sociale dhe shumë prej kritikëve janë nga “shkolla e vjetër””, ka thënë Ferdinand.

”Ish-profesionistët dëshirojnë që futbolistët tani të sillen plotësisht si ata, ata duan që futbollistët të jenë më serioz për sportin tonë dhe të mos transmetojnë gjëra në rrjete sociale. Ai është i lënduar, shkon në një dasmë dhe kërven, është në zhveshtore dhe kërcen – ky është Pogba, ai e ka jetën e vet dhe ashtu është si person”.

“Ju nuk mund ta godisni atë për shkak të personalitetit të tij, ai është ndryshe. Kjo gjeneratë e lojtarëve është e ndryshme nga gjenerata ime dhe edhe më ndryshe nga gjenerata e Keane dhe Souness. Rrethanat kanë ndryshuar shumkë dhe ne nuk mund të presim që ai të sillet siç silleshim ne”.

“Pogba nuk konsumon alkool, ai nuk del natën në klube, por rri në rrjete sociale. Cila është më e keqe? Sepse njerëzit po flisnin për siç ishte më parë – edhe unë, edhe të tjerët shkonim në klube të natës, pinim alkool, por ai s’i bën këto”.

“Por, ai prapë prezantohet si i keqi vetëm pse është i lumtur. Kjo është diçka e madhe – ai është i lumtur edhe kur është i lënduar. Unë nuk pajtohem me ato kritika – shëndeti mendor është një problem i madh, nëse nuk mund të jesh vetvetja kur je i lënduar… çfarë presin njerëzit? Që të rrish i ulur dhe në depresion?”

(Kosova Sot Online)