Henderson zbulon pse s’ia kërkoi fanellën Messit

  • 30 April 2020 - 10:57
Henderson zbulon pse s’ia kërkoi fanellën Messit

Jordan Henderson ka zbuluar se ai e mori këshillën e Roy Keane kur vendosi të mos ia kërkojë Lionel Messit fanellën, pas disfats së Liverpoolit kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Liverpooli pësoi humbje me rezultat 3:0 në Camp Nou në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, kur katalonasit e morën një fitore bindëse falë dy golave të Messit dhe golit të Luis Suarezit.

Messi kishte qenë në formë mbresëlënëse atë natë dhe e kishte dëshmuar këtë përmes dy golave, njëra prej të cilave kishte qenë e jashtëzakonshme nga gjuajtja e lirë.

Përderisa, Liverpooli arriti ta përmbysë rezultatin në ndeshjen kthyese duke fituar me rezultat 4:0 dhe duke e siguruar vendin në finale, kapiteni Henderson bëri të ditur se ai kurrë s’e mendoi t’ia kërkonte argjentinasit fanellën, pasi që ishte këshilluar nga ish-shefi i tij në Sunderland, Roy Keane, të mos e bënte këtë.

“Ishte hera e parë që isha në fushë me Lionel Messin. Ti nuk mendon më vete: “Oh Zot, ja ku është ai”, por s’ka asnjë dyshim se ai luan ndryshe nga ajo se si shihet në TV. Është shumë i shpejtë”, ka thënë Henderson.

“Kur e mendoj gjuajtjen e tij të lirë tani, nuk mund ta besoj se e shënoi atë. Në fakt unë mendova se do t’ia pasonte dikujt topin nga aty. Ju e dini se sa i mirë mendoj që është portieri ynë Alisson, por Messi e gjuajti topin në një zonë ku ai s’mund ta mbronte. Ishte absolutisht e përsosur”.

“A më shkoi në mendje t’ia marr fanellën? Jo, asnjëherë. Roy Keane më kishte thënë kur isha në Sunderland se nëse ia kërkoja dikujt fanellën, duket sikur të jem i mahnitur nga ta”.

“Në fakt unë u ktheva në shtëpi me fanellën e Luis Suarezit. Luisi është një djalosh i mirë dhe ai ma dha fanellën e tij si gjest i mirë që kishim luajtur bashkë në Liverpool më parë. Unë nuk e di çfarë bëri ai me timen”. 


(Kosova Sot Online)