Vendimi për mbylljen e sezonit të Ligue 1 ngjall pakënaqësi, apelohet vendimi

  • 01 May 2020 - 09:58
Vendimi për mbylljen e sezonit të Ligue 1 ngjall pakënaqësi, apelohet vendimi

Lyoni ka bërë të ditur se do ta apelojë vendimin për përfundimin para kohe të sezonit të Ligue 1, që bëri që klubi të mos fitojë vend kualifikues për në garat evropiane për herë të parë që nga viti 1997. Klubi mendon ta padisë organin qeverisës së ligës, LFP-në, për miliona euro.

Pasi kryeministri francez Edouard Philippe lajmëroi se nuk do të luhej asnjë ndeshje futbolli para shtator, LFP-ja e konfirmoi të enjten se sezoni 2019/20 është përfunduar para kohe dhe se kampioni dhe kualifikimi në Evropë do të vendoseshin në bazë të tabelës aktuale.

Kjo do të thotë që Paris Saint-Germaini arriti ta fitojë titullin e kampionit për të tretin vit radhazi, ndërsa Marseille dhe Rennes i morën dy vendet e tjera kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Lyoni përfundoi në pozitën e shtatë, jashtë vendeve kualifikuese për Evropë. Lyoni ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se liga është dashur të vendosej në fushën e blertë, edhe nëse do të ishte dashur ndryshim i formatit, e jo në dhomën e bordit të ligës.

Lyoni beson se LFP-ja u ngut për ta mbyllur sezonin, përderisa shtoi se kjo mënyrë nuk është as në pajtim me kërkesat e UEFA-s për kualifikim në Evropë në bazë të meritave sportive, mirëpo e quajti PSG-në si kampion me meritë.

“Qëndrimi i qeverisë nuk u duk se ishte detyrues, në mënyrë ndaluese, për t’i ndalur ndeshjet e Ligue 1 dhe Ligue 2 sot. Lyoni propozoi që të studiohej një zgjidhje alternative që do ta lejonte kampionatin të përfundohej dhe ta ruante drejtëve e garës sportive dhe që do të ishte në linjë me propozimet e UEFA-s – përmes play-offs dhe play-downs”.

“Lyoni e mban të drejtën për të apeluar kundër këtij vendimi dhe të kërkojë dëmshpërblim, veçanërisht për humbjen e mundësisë  pasi që dëmi për klubin arrin deri në dhjetëra miliona euro”.

(Kosova Sot Online )