Ylli i Tottenhamit: Do të ishte mizori t’ia mohonim Liverpoolit titullin në Premierligë

  • 04 May 2020 - 09:53
Ylli i Tottenhamit: Do të ishte mizori t’ia mohonim Liverpoolit titullin në Premierligë

Portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris, thotë se do të ishte mizori për Liverpoolin t’iu mohohej titulli në Premierligë për shkak të pandemisë koronavirus, duke theksuar se klubet dhe lojtarët dëshirojnë që sezoni 2019/20 të përfundohet.

Liverpooli ishte vetëm dy fitore larg titullit të parë në 30 vjet kur Premierliga, si të gjitha ligat e mëdha nëpër Evropë, u pezullua në mars për shkak të shpërthimit të sëmundjes ngjitëse Covid-19.

Ligue 1 në Francë dhe Eredivisie në Holandë u kanë dhënë fund tashmë sezoneve të veta përkatëse për shkak të pandemisë, por Premierliga në Angli, La Liga në Spanjë dhe Serie A në Itali vazhdojnë të mbesin të vendosura për ta rifilluar sezonin kur të ketë siguri.

Klubet kanë diskutuar për mundësinë e rifillimit të sezonit në qershor, me ndeshjet që do të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadiume dhe me gjasë në terrene neutrale, në përpjekje për t’i respektuar masat e qeverisë ndaj tubimeve të mëdha.

Liverpooli është lider me 25 pikë më shumë se i dyti, Manchester City dhe Lloris shpreson se sezoni do të mundë të përfundojë.

“Jemi në një situatë ku secili dëshiron ta përfundojë sezonin dhe verdikti të jepet në fushë”, tha Lloris për L’Equipe.

“Do të ishte tmerrshme nëse gjithçka merr fund kështu nëntë ditë para se të përfundojë Premierliga. Do të ishte edhe mizore ndaj Liverpoolit duke e parë epërsinë që e ka në tabelë. Liverpooli është pothuajse kampion”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)